POLITIKË /

Të drejtat e grave në politikë: Ndërmjet ligjit dhe realitetit shqiptar

Kur zëri i gruas mungon, edhe demokracia tingëllon bosh

Shkruar nga Versus

Të drejtat e grave në politikë: Ndërmjet ligjit dhe

Lusi Pergjergji– Gazetare, RTSH

Në një sallë të mbushur plot në një nga panelet e organizuar nga shoqëria civile në Tiranë, zëri i grave në politikë u dëgjua më fort se zakonisht. Përfaqësuese të partive, aktiviste dhe studente diskutuan për një çështje që mbetet delikate në Shqipëri: të drejtat e grave në politikë,  jo thjesht për të qenë në listë, por për të pasur pushtet real dhe ndikim në vendimmarrje.

Në dukje, Shqipëria ka një kuadër ligjor bashkëkohor që i garanton grave pjesëmarrje në politikë. Kodi Zgjedhor parashikon kuota gjinore, ligji për barazinë gjinore është në fuqi prej më shumë se 15 vitesh, dhe Kushtetuta e shpall barazinë si parim themelor. Por a janë këto të drejta të zbatueshme në praktikë?

Pjesëmarrja e grave në politikë shpesh shoqërohet me sfida të dyfishta si për të hyrë në skenën politike, por edhe për të qëndruar. Në shumë raste, gratë që zgjidhen apo emërohen në poste drejtuese përballen me skepticizëm, sulme të personalizuara dhe diskreditim publik. Jo rrallë herë, ato trajtohen më shumë për pamjen e tyre sesa për qëndrimet politike.

Një deputete në mandatin e saj të parë, që kërkon të mbetet anonime, tregon se ende nuk është ftuar në asnjë takim strategjik të grupit parlamentar. “Zyrtarisht jam pjesë e grupit, por realisht jam në stol rezervë,” thotë ajo me një buzëqeshje të hidhur.

Kuotat gjinore kanë qenë një ndër mjetet kryesore për të shtyrë përpara përfaqësimin e grave në politikë. Megjithatë, ato nuk kanë garantuar gjithmonë përfshirje reale apo të drejtë. Shpesh gratë vendosen në fund të listave, ose zëvendësohen pas zgjedhjeve përmes një rrotacion të paracaktuar nga drejtuesit e partive.

Mungesa e vullnetit politik për të promovuar gratë në poste vendimmarrëse mbetet një nga problemet thelbësore. Në shumë parti, strukturat drejtuese dominohen nga burra. Gratë nuk janë pjesë e vendimeve për koalicione, për lista apo për drejtimin e fushatave. Në vend të një qasjeje meritokratike, shpesh përzgjedhja bazohet në lidhje personale, besnikëri ndaj liderit dhe lojë politike.

Megjithatë, situata nuk është pa dritë në fund të tunelit. Në nivel lokal, gjithnjë e më shumë gra po bëhen pjesë e këshillave bashkiakë, po organizojnë nisma komunitare dhe po kërkojnë më shumë hapësirë në debatet publike. Rrjetet sociale kanë ofruar një platformë të re ku gratë mund të artikulojnë mendimet e tyre pa filtra partiakë.

“Kam hyrë në politikë për të mos e ndryshuar sistemin nga jashtë, por për ta ndërtuar ndryshe nga brenda,” thotë një këshilltare bashkiake e re nga Fieri, që përmes një fushate në TikTok arriti të mobilizojë të rinjtë në zonën e saj.

Të drejtat e grave në politikë nuk janë vetëm çështje barazie, por edhe çështje funksionaliteti demokratik. Një vend nuk mund të pretendojë përfaqësim të drejtë nëse gjysma e popullsisë trajtohet si aksesor politik. Deri kur gratë të kenë akses real në pushtet, dhe jo vetëm në emër, Shqipëria do të vazhdojë të luftojë mes progresit ligjor dhe regresit në jetën e përditshme.

 

Poll