
Një tjetër kallëzim është bërë ndaj kandidatit të Partisë Demokratike në Lezhë, Gjin Gjoni. Sipas informacionit të policisë, kallëzimi është paraqitur nga një qytetar 66-vjeçar, banues në Lezhë, i cili ka deklaruar se Gjoni e ka vizituar në banesë dhe i ka kërkuar votën.
Për këtë ngjarje, Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë kanë kryer veprimet hetimore procedurale.
Pas referimit të materialeve hetimore, Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë ka nisur hetimet ndaj Gjin Gjonit, kandidat i Partisë Demokratike në këtë qytet.
“Në ngarkim të shtetasit Gj. Gj. 55 vjeç, banues në Lezhë ( kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi ndaj tij është bërë kallëzim nga shtetasi V. K., 66 vjeç, banues në Lezhë, se i ka shkuar te banesa duke i kërkuar votën”, njofton policia.
Kujtojmë se Gjoni u akuzua më herët edhe nga kryesocialisti dhe kandidati për deputet, Ermal Pacaj, për një incident me armë në një lokal të Lezhë./Versus.al







