Pavarësisht se kryebashkiaku Erion Veliaj është marrë i pandehur për 5 vepra penale, kryeministri Edi Rama gjatë dëgjesës publike për projektbuxhetin e Tiranës tha sot se kryeqyteti nuk duhej lënë pa kryebashkiak.
Sipas tij, përsa kohë Veliaj nuk ka bërë ndonjë vrasje apo nuk është kapur në flagrancë duke kryer krim, nuk ka arsye të mjaftueshme që justifikojnë arrestimin e tij pa gjyq duke lënë Tiranën pa drejtues.
“Kur kryetari i bashkisë u mor nga zyra për t’u mbyllur në qeli pa gjyq atëherë për herë të parë e ngrita zërin lidhur me një process të drejtësisë duke thënë se kjo është disproporcionale për faktin se cilado qofshin arsyet pse drejtësia heton kryetarin e bashkisë, janë të pamjaftueshme përsa kohë kryetari i bashkisë nuk ka vrarë njeri dhe nuk është kapur në flagrancë duke bërë ndonjë krim, është e pamjaftueshme për ta lënë Tiranën pa kryetar bashkie të zgjedhur”- tha Rama.
Pavarësisht se opozita bëri thirrje që Veliaj të ishte në këshillin bashkiak ditën e shkarkimit, mazhoranca nuk pranoi se sot Rama tha se ata e bënë përpjekjen për ta shkarkuar dhe të hapnin rrugën për zgjedhje të reja, por Kushtetuesja nuk e lejoi diçka të tillë. Sipas tij me këtë vendim duhet që kur Veliaj të bëjë kërkesën në GJK, të lirohet nga qelia dhe të rikthehet në zyrë.
“Kur u ezauruan të gjtiha shkallët ishte gjëja më normale të mendohej për qytetin dhe për njerëzit që kanë të drejtë të qeverisen nga të zgjedhurit. Kjo ishte arsyeja përse ne ndërmorëm hapin tjetër që të hapim rrugën e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës. Nuk ishte hap për të fajësuar kryetarin e bashkisë dhe as për të thënë se mungonte në detyrë se kishte arsye të vetat, por ishte hap për të thënë se kryetari i bashkisë në pamundësi për të kryer detyrën të mos kthehej në problem për të qeverisur qytetin sepse asnjë qytet nuk mund të qeveriset me telekomandë. Qyteti ka nevojë për të zgjedhurin legjitim që ta drejtojë atë. Pavarësisht përpjekjes që bëmë sërish nuk ia dolëm, sepse Gjykata Kushtetuese refuzoi t’u hapë rrugë zgjedhjeve në Tiranë duke përcaktuar pamundësinë e kryetarit për të qenë në detyrë dhe se nuk është e drejta e qeverisë dhe e këshillit bashkiakpër të hapur rrugën e zgjedhjeve përsa kohë ai ka munguar. Është vendim gjykate, e respektojmë madje nuk kam arsye të besoj se GJK ka bërë politikë. Ajo ka menduar ndryshe, pork y mendim ndryshe të çon në konkluzionin që kur kryebashkiaku të shkojë atje për të kërkuar të lirohet, duhet ta kthejë në zyrë”- tha Rama. Versus.al

