POLITIKË /

Vendimet e Qeverisë: Shpërblim për sportistët, rritet interesi për 'Paketën e Maleve', 4 bashki të tjera i thonë PO

Qeveria njofton vijimin e miratimit të zonave prioritare në bashki në kuadër të “Paketa e Maleve”, ndërsa rriten edhe shpërblimet dhe mbështetja financiare për sportistët dhe trajnerët në disa kategori sportive.

Shkruar nga Versus
Vendimet e Qeverisë: Shpërblim për sportistët, rritet
Ervin Demo/ Blendi Gonxhe

Pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, bëri me dije se po vijon procesi i miratimit të zonave prioritare për bashkitë në kuadër të “Paketa e Maleve”, e cila sipas tij ka rritur ndjeshëm interesin e aplikantëve në të gjithë vendin.

Demo deklaroi se katër bashki të tjera kanë miratuar zonat prioritare, duke e çuar në 40 numrin total të bashkive të përfshira në këtë proces.

Ai shtoi se pritet që edhe bashki të tjera të miratojnë vendimet përkatëse në këshillat bashkiakë, ndërsa theksoi se interesi i qytetarëve për zonat me lidhje të forta lokale është në rritje.

“Sot kemi vazhduar me miratimin e zonave prioritare të bashkive. Janë 4 bashki të tjera që kanë miratuar zonat pritoritare dhe tashmë shkojmë në numrin 40 të bashkive. Është rritur interesi për paketën e Maleve. Një pjesë e mirë e bashkive do miratojë me miratimin e këshillit bashkiak. Ajo çfarë ne konstatojmë është që vetë bashkitë janë duke konstatuar një interes  ë shtuar të banorëve dhe të shqiptarëve që kanë lidhje të fortë me vende të caktuara. Me miratimin e 4 bashkive të fundit do vazhdojmë me ritme të shpejta”, tha Demo.

Ndërkohë, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, prezantoi vendimin për rritjen e mbështetjes financiare për sportistët dhe trajnerët.

Sipas tij, shpërblimet për sportet jo olimpike rriten me 75%, ndërsa trajnerët e sportistëve elitarë do të përfitojnë rritje prej 25%. Gjithashtu, është rritur edhe trajtimi ushqimor ditor për sportistët elitarë.

“Dy vendime që propozohen dhe vijnë në qeveri me propozimin e ministrisë së Turizmit Kulturës dhe Sportit.  E para është rritja e shpërblimit për sportistët e litarë dhe trajnerët e tyre. Do të ketë efekt nga muaji prill 2026. Rritet me 75% shpërblimi mbështetja për sportet jo olimpike. Rritet me 25% për trajneret e sportistëve elitar, rritet trajtimi ushqimor ditor për sportistët elitarë. Ofrojmë mbështetje më të madhe, garantojmë një skenë më të drejtë për të pasur një provomim dhe për të motivuar sportistë, të kapin rekorde të larta", tha Gonxhe./Versus.al

 

Poll