
Pas 32 vjetësh është hapur për herë të parë porta e tunelit të fortifikuar të Porto Palermos. Ministria e Mbrojtjes bën me dije se ky është hapi i parë i një projekti për rijetëzimin dhe rehabilitimin e të gjithë kompleksit infrastrukturor në Gjirin e Panormës për funksione ushtarake dhe civile.
Momentin e hapjes së portës së tunelit, kryeministri Edi Rama e ka demonstuar me një video të postuar në rrjetin social Facebook, ku ndër të tjera shprehet se gjiri i Panormës do të shndërrohet në një destinacion për turizmin historik në zonë.
“Me hapjen e tunelit nënujor të Porto Palermos, nis projekti i Ministrisë së Mbrojtjes për ta kthyer Gjirin magjepsës të Panormës në një destinacion të turizmit historik, ku do të ndërthuret natyra e paprekur e gjirit, vendosur nën mbrojtje nga qeveria shqiptare, me rijetëzimin e godinave të vjetra ushtarake, krijimin e muzeut të Luftës së Ftohtë, si edhe jetëzimin e kalasë së famshme të Ali Pashës, ju uroj të diel të bukur.”

