POLITIKË /

Zgjedhjet e 11 majit, mbi 57 mijë vota të pavlefshme, më pak se në 2021-in! Këto qarqe mbajnë 'rekord'

Shkruar nga Versus

Zgjedhjet e 11 majit, mbi 57 mijë vota të pavlefshme, më pak se

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndarë me publikun shifrat zyrtare sa i takon votave të pavlefshme në zgjedhjet e 11 majit 2025. Votimi brenda vendit ku morën pjesë zyrtarisht 1.462.138 qytetarë, ka nxjerrë plot 55.514 vota të pavlefshme, shifër kjo e konsiderueshme.

Në konstatimet e kryera, rezulton se një pjesë e madhe e qytetarëve kishin zgjedhur të bënin shënime të caktuara në fletë për të shprehur në njëfarë mënyre kundërshtinë me çdo parti politike dhe dëshirën për ndryshimin e sistemit të tranzicionit politik.

Qarqet me numrin më të madh të votave të pavlefshme janë Tirana me 16.753 vota, Elbasani me 5971 vota, Fieri me 5621 dhe Durrësi me 5243 vota të pavlefshme.

Ndërsa sa i takon diasporës, kur janë numëruar deri më tani mbi 147 mijë zarfe, rezulton se 1532 vota janë të pavlefshme duke e bërë numrin e votave të pavlefshme deri më tani 57.046 mijë. Të dhënat për numërimin nuk përfshijnë votat e diasporës shqiptare në Greqi të cilat ende nuk janë numëruar pas pretendimeve për parregullsi.

Megjithatë kur e krahasojmë me votat e pavlefshme në zgjedhjet e vitit 2021, numri është shumë herë më i ulët pasi asokohe numëroheshin plot 83 mijë vota të pavlefshme. Versus.al

Poll