
Sipas rezultateve të fundit preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti është në rrugën për të formuar e vetme qeverinë.
Me 61.63% të votave të numëruara, LVV-ja ka siguruar 257,390 vota, ose 50.24% të totalit, duke thelluar epërsinë ndaj partive të tjera.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e dyta me rreth 20% të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 14.16%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.57%. Lista Serbe ka siguruar 3.1% të votave.
Pas publikimit të rezultateve, Arben Gashi nga LDK-ja ka bërë thirrje për reflektim dhe veprim të përgjegjshëm nga partia, duke theksuar se rezultati që e rendit LDK-në në vend të tretë nuk mund të injorohet. Kjo shifër është më e ulët krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit, kur LDK-ja kishte fituar 18% të votave, duke ruajtur edhe atëherë pozicionin e tretë në skenën politike kosovare.
/Versus.al


