Shqipëria po përballet me një valë të rrezikshme zjarresh, me 17 vatra aktive në disa qarqe të vendit, ku autoritetet po punojnë pa ndërprerje për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Sipas të dhënave zyrtare, në terren janë angazhuar rreth 1000 forca, ushtarake dhe civile, të koordinuara nga Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC). Forcat po përballen me një terren të vështirë dhe kushte të pafavorshme klimatike, por ndërhyrja mbetet intensive dhe e vazhdueshme.
Ndërkohë, ndërhyrja ajrore ka marrë një rol kyç në luftën kundër zjarreve. Aktualisht, 5 helikopterë të Forcës Ajrore janë në operacion në zonat më problematike si Delvinë, Konispol, Berat/Dimal dhe Bërzhitë, duke synuar të ndalojnë përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara dhe sipërfaqeve të mbrojtura.
Falë punës së pandërprerë të forcave në terren, deri më tani janë neutralizuar 9 vatra, të cilat po monitorohen nga afër për të parandaluar çdo mundësi riaktivizimi.
Në një zhvillim të rëndësishëm për përforcimin e operacioneve, gjatë pasdites pritet të angazhohen edhe 2 avionë zjarrfikës “Canadair”, të cilët po vijnë në ndihmë nga Italia dhe Kroacia, në kuadër të mekanizmave të bashkëpunimit ndërkombëtar për menaxhimin e emergjencave civile.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e strukturave të mbrojtjes civile dhe të raportojnë çdo vatër zjarri pranë zonave të banuara për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Situata mbetet dinamike dhe në monitorim të vazhdueshëm.







