BOTA /

Kërkoi këshilla për vetëvrasje në Snapchat, e reja vdes nga një mbidozë kokaine

Houleymata, 20 vjeç, kishte kërkuar në Snapchat udhëzime se si t'i jepte fund jetës së saj. Disa nga kontaktet e saj sugjeruan kokainë. Ai që dyshohet se i shiti drogën është akuzuar dhe burgosur

Shkruar nga Versus

Kërkoi këshilla për vetëvrasje në Snapchat, e reja vdes

Një 31-vjeçar është akuzuar zyrtarisht në Paris për trafik droge dhe vrasje të paqëllimshme, përpara se të vendosej në paraburgim, në një rast që ka tronditur opinionin publik francez.

Sipas autoriteteve, ai dyshohet se i ka shitur doza vdekjeprurëse kokaine një vajze 20-vjeçare, e cila më vonë u gjet e pajetë në një konvikt në lagjen e 19-të të Parisit, më 17 shkurt.

Në orët e para të mëngjesit, punonjës të një kompanie mirëmbajtjeje që ndodheshin në ndërtesë, dhanë alarmin pasi zbuluan trupin e të resë të shtrirë në një dhomë gjumi në Rue Cesária-Évora. Pranë saj u gjet edhe një sasi e vogël pluhuri të bardhë, që dyshohet të jetë kokainë.

Hetimet u morën në dorë nga njësia e narkotikëve, ndërsa autopsia konfirmoi se shkaku i vdekjes ishte mbidoza e kokainës.

Megjithatë, kontrolli i telefonit të viktimës zbuloi komunikime në platformën Snapchat, ku ajo kishte kërkuar informacione për mënyra të ndryshme për t’i dhënë fund jetës së saj, duke pyetur për substanca, doza dhe mënyra përdorimi.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit, Selim Mamlouk, kritikoi ashpër rolin e rrjeteve sociale në këtë rast.

“Ky rast konfirmon urrejtjen time të thellë për rrjetet sociale. Ishte një grua e re në vështirësi që përpiqej të kryente vetëvrasje dhe në komunikimet e saj përmendeshin kokaina dhe arseniku me shprehje si ‘LOL’. Çfarë shembulli i mjerueshëm,” u shpreh ai.

Hetimet për rastin vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha rrethanat që çuan në tragjedinë e 20-vjeçares.



Poll