ZANAT /

Ekskluzive / Flet Xhoela Bame, shkencëtarja korçare që po zgjidh misteret e trurit, “Forbes” e vuri në top listë

Xhoela Bame, vajza 27 vjeçare nga Korça, sot është një nga mendjet e reja që po ndryshojnë mënyrën si e kuptojmë trurin dhe sëmundjet që e shkatërrojnë atë. Synimi është i qartë: të kuptohet truri, të parandalohet shkatërrimi i tij dhe, një ditë, të rikthehet ajo që duket e humbur.

Shkruar nga Versus

Ekskluzive / Flet Xhoela Bame, shkencëtarja korçare që po

Nuk po kërkon rininë e përhershme, as jetën e përjetshme, as piedestalë ku të vendos zbulimet… Përkundrazi, Xhoela Bame, vajza nga Korça që në heshtje ka arritur në majat e shkencës botërore, po kërkon veç një mënyrë për të kuptuar plakjen e trurin, për të kuptuar orën biologjike të qelizave të tij, për të kuptuar në thelb jetën…

Në një intervistë ekskluzive për Versus.al, ajo ka rrëfyer ditët e saj para e pas vlerësimit të ardhur nga Forbes që e rëndit mes 30 shkencëtarëve më të mirë e premtues nën 30 vjeç.

Ekskluzive / Flet Xhoela Bame, shkencëtarja korçare që po

Një shkencëtare korçare në Forbes…

E saj nuk është historia klasike e një suksesi me zhurmë. Përkundrazi. Është ajo që ndodh në heshtje, mes librave, laboratorëve dhe netëve të gjata mes studimeve e larg tundimeve të moshës.

Xhoela Bame, vajza 27 vjeçare nga Korça, sot është një nga mendjet e reja që po ndryshojnë mënyrën si e kuptojmë trurin dhe sëmundjet që e shkatërrojnë atë. Në vitin 2025 ajo përfundoi doktoraturën në një nga institucionet më elitare në botë, kur u laureua si Doktore e Shkencave, pranë Dartmouth College, Universitet “Ivy League” në ShBA. Sot Xhoela është kërkuese shkencore në Universitetin e Oksfordit, një hapësirë ku vetëm më të mirët arrijnë të mbijetojnë.

Ekskluzive / Flet Xhoela Bame, shkencëtarja korçare që po

Ajo studion qeliza që jetojnë për gjithë jetën tonë që nga lindja. Qeliza që, në rini, dinë të rigjenerohen vetë, por që me kalimin e viteve fillojnë të dorëzohen. Degjenerimi bëhet i pashmangshëm. Pikërisht aty hyn kërkimi i saj: si të ndalet vdekja qelizore, si të rikthehet aftësia e trupit për t’u vetëriparuar.

Duket shumë, por kjo tashmë nuk është më "ëndrra n'beze", gjetjet nuk janë më veç dyshime e teori. Janë projekte konkrete, ajo tashmë është pjesë e studimeve dhe një projekti me vlerë 24 milionë dollarë investime dhe një ekipi prej 20 shkencëtarësh. Synimi është i qartë: të kuptohet truri, të parandalohet shkatërrimi i tij dhe, një ditë, të rikthehet ajo që duket e humbur.

Paradoksi? Shqipëria nuk i dha një medalje ari

Rruga e saj nuk ka qenë e lehtë, por as dramatike. Xhoela ka qenë e disiplinuar, e qëndrueshme. E vlerësuar me Medalje Ekselence, e renditur e para në Fakultetin e Shkencave, Universiteti Teknik i Stambollit, ajo ka qenë dhe përfituese e bursës së ekselencës nga qeveria shqiptare.

Ekskluzive / Flet Xhoela Bame, shkencëtarja korçare që po

Studionte fort, por pa u shkatërruar nga ambicia për nota. Një ekuilibër i rrallë.

I vetmi peng nga Shqipëria? Medalja e artë… Nuk e donte për veten, për mamin e sakrificat e familjes më shumë… Por sot, në shtëpi e shpirt, familjes, bija e tyre, i ka çuar më shumë; vlerësimin dhe mirënjohjen e botës…

Edhe lajmi për “Forbes” erdhi… pa zhurmë.

Xhoela rrëfen për Versus se njoftimi i parë i ka shkuar nga Forbes… në një email që nuk e pa.

Një mesazh nga një shoqe e shkund pak: “Të pashë në Forbes”.

Një moment pezull, sepse interneti nuk punonte. Pastaj, si gjithmonë, ajo vazhdoi punën në laborator.

Më vonë, nga Shqipëria, i dërguan linkun në Singapor, aty ku ndodhet për momentin.

Sepse kjo është Xhoela: gjithmonë në lëvizje, gjithmonë në kërkim, gjithmonë një hap përpara.

Sot, puna e saj synon të zbulojë misteret e sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri dhe ALS. Ajo ka identifikuar “orët biologjike” që kontrollojnë plakjen dhe riparimin e trurit, ka gjetur mënyra për të dalluar dëmtimin muaj para simptomave dhe tani po punon për të krijuar barna që ndihmojnë trupin të shërohet vetë edhe në sëmundje të zemrës.

Historia e Xhoela Bames nuk është një histori për lavdi të shpejtë, por për durimin e mendjeve të qeta, kërkuese e të bukura. Punë që nuk duket… derisa bota detyrohet ta shohë, ta njohë e ta duartrokasë… / VERSUS 

 

 

 

Poll