
Një ndërhyrje kirurgjikale e kryer në Spitalin Kërkimor të Universitetit Atatürk në Erzurum të Turqisë ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe komunitetit mjekësor. Rüveyda Özer, nënë e dy fëmijëve që jeton në Stamboll, iu nënshtrua një operacioni laparoskopik ku iu hoqën plot 51 gurë nga kanali që lidh veshkën me fshikëzën (ureteri).
Udhëtimi nga Stambolli drejt Erzurumit
Pas ankesave të vazhdueshme për përzierje dhe dhimbje të forta, Özer ishte vizituar në disa spitale në Stamboll, ku mjekët i kishin sugjeruar operacion të hapur. Duke mos pranuar këtë metodë, ajo kishte përdorur për një kohë të gjatë qetësues dhe serum në shërbimet e urgjencës. Me shtimin e dhimbjeve, ajo vendosi të bënte një ndërhyrje të mbyllur (laparoskopike).
Supriza gjatë operacionit 1.5 orësh
Gjatë ndërhyrjes që zgjati rreth 90 minuta, mjekët u përballën me një situatë të pazakontë. Prof. Dr. Fatih Özkaya shpjegoi se pacientja kishte një anomali anatomike (dy kanale ureterë në anën e djathtë), dhe në njërin prej tyre u gjetën gurë të shumtë.
"Kemi hequr 51 gurë të madhësive të ndryshme. Në 17 vite karrierë dhe pas më shumë se një mijë rasteve, nuk kisha parë kurrë kaq shumë gurë brenda ureterit. Zakonisht këtë numër e shohim në veshkë, por jo në kanal," u shpreh Prof. Dr. Özkaya, duke shtuar se dendësia e gurëve nuk ishte vërejtur plotësisht në imazhet radiologjike para operacionit.
"Si ka jetuar me këta gurë?"
Familjarët e pacientes shprehën habinë e tyre pas përfundimit të operacionit. Babai i saj, Selahattin Özer, u shpreh i tronditur nga numri i gurëve: "Vajza kishte dhimbje çdo ditë. Kur pamë 51 gurët, mbetëm pa fjalë. Pyetëm veten se si ka jetuar kjo grua me gjithë këtë masë në trup."
Vetë pacientja konfirmoi se menjëherë pas operacionit dhimbjet e saj janë zhdukur dhe gjendja shëndetësore është e mirë. Mjeku kirurg njoftoi se ky rast i rrallë do të prezantohet si studim rasti në kongreset mjekësore kombëtare dhe ndërkombëtare, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të konsumojnë sa më shumë ujë për të parandaluar formimin e gurëve.

