Sopranoja e njohur ndërkombëtare, Inva Mula, ishte e ftuar të shtunen në emisionin “Goca dhe Gra” në Top Channel, ku solli emocione të veçanta teksa ndau pjesë nga jeta e saj profesionale dhe personale.
Gjatë bisedës, ajo u ndal te një nga momentet më të veçanta të karrierës, pjesëmarrja në filmin e famshëm hollywoodian “The Fifth Element”. Por pas këtij suksesi të madh, fshihet një histori e hidhur.
“Ishte një gabim jetësor,” u shpreh Inva. “Shkova me agjentin tim, një njeri me shumë eksperiencë, por në entuziazëm harroi të firmoste të drejtat e autorit.”
Një gabim që rezultoi fatal nga ana financiare: asnjë qindarkë nga të ardhurat që filmi vazhdon të gjenerojë edhe sot.
Por sopranoja e madhe nuk është penduar:
“Është me miliona, por i kam thënë vetes: s’ka problem. Fitova diçka më të madhe – dashurinë e publikut dhe përjetësinë artistike. Po t’i kisha pasur ato miliona, ndoshta nuk do të më interesonte më të këndoja.”







