Në një mbrëmje të mbushur me dritë, elegancë dhe emocione në qytetin Espoo, u kurorëzua “Miss Finlanda 2025”, një nga spektaklet më të ndjekura të bukurisë në vendin nordik. Fituesja e këtij viti është Sarah Dzafce, 22-vjeçare nga Helsinki, e cila përveç bukurisë dhe sharmin tërheqës, ka spikatur edhe me personalitetin e saj të thellë dhe mesazhin e fuqishëm për përfaqësimin kulturor.
Ajo që e bën këtë fitore edhe më të veçantë është fakti se Sarah ka prejardhje shqiptare nga babai i saj, i cili vjen nga Kosova. Ky detaj ka prekur dhe emocionuar mijëra shqiptarë brenda dhe jashtë Finlandës, të cilët tashmë e shohin Sarën si një simbol krenarie dhe përfaqësimi të denjë në arenën ndërkombëtare.
View this post on Instagram
“Multikulturalizmi më ka dhënë forcë dhe vetëbesim”
Pas shpalljes fituese, Sarah dha një deklaratë ku foli me sinqeritet për ndikimin që ka pasur trashëgimia e saj në formimin personal.
“Origjina ime multikulturore ka ndikuar thellësisht në formimin tim si person. Më ka dhënë forcë, vetëbesim dhe një botëkuptim më të hapur. Ka ndihmuar që t’i qasem njerëzve me empati dhe ta shoh këtë botë nga shumë këndvështrime të ndryshme.”
Fitorja e Sarës u përjetua me entuziazëm nga komuniteti shqiptar në Finlandë, por edhe nga shqiptarë të shumtë në mbarë botën, veçanërisht nga Kosova, vendi i origjinës së babait të saj. Në rrjetet sociale, dhjetëra mesazhe përgëzimi, urime dhe krenarie u shpërndanë menjëherë pas lajmit, ndërsa emri i saj u kthye në një simbol frymëzimi për vajzat e reja të diasporës.
Kush është Sarah Dzafce?
E lindur dhe rritur në Helsinki, Sarah ka ndjekur studimet në fushën e komunikimit dhe është e angazhuar në projekte sociale që lidhen me barazinë gjinore dhe përfshirjen kulturore. Përveç modelimit, ajo është e pasionuar pas artit, gjuhëve të huaja dhe udhëtimeve. Në garën për Miss Finlanda, ajo spikati jo vetëm me paraqitjen e saj fizike, por edhe me fjalimin mbresëlënës për rolin e grave në shoqëri dhe sfidat që përballin vajzat me prejardhje të ndryshme kulturore.







