Pasi ka kaluar më shumë se gjysma e jetës së saj nën stigmën e një dënimi penal të padrejtë, Choi Mal-ja, sot 78 vjeçe, është shpallur përfundimisht e pafajshme nga gjykata e Busanit, plot 61 vjet pas ngjarjes që ndryshoi jetën e saj. Rasti i saj është kthyer në një simbol të drejtësisë së vonuar dhe të grave që kanë mbijetuar dhunën gjinore në Kore dhe më gjerë.
Në vitin 1964, Choi Mal-ja ishte vetëm 19 vjeçe kur u sulmua seksualisht nga një burrë që e rrëzoi në tokë dhe tentoi ta puthte me forcë, duke i mbyllur hundën për ta detyruar të hapte gojën. Në përpjekje për të shpëtuar, Choi reagoi duke i kafshuar gjuhën, duke i shkaktuar një dëmtim prej 1.5 cm dhe arriti të largohej.
Megjithatë, vendimi i drejtësisë në atë kohë ishte tronditës: agresori u dënua lehtë, vetëm për "hyrje të paautorizuar dhe frikësim", me 6 muaj burg me kusht, ndërsa Choi u dënua për shkaktim të dëmtimeve të rënda trupore, me 10 muaj burg me kusht për dy vjet. Gjykata e asaj kohe deklaroi se ajo kishte “tejkaluar kufijtë e vetëmbrojtjes së lejueshme ligjërisht”.
Një ikonë e #MeToo në Kore
Pas valës së lëvizjes #MeToo që shpërtheu edhe në Kore, rasti i Choi Mal-ja u rishfaq në debatin publik si një simbol i padrejtësive të shumta ndaj grave që mbrohen nga sulmet seksuale, por ndëshkohen për vetëmbrojtje.
Me ndihmën e aktivistëve të të drejtave të grave dhe shoqërisë civile, ajo arriti ta rikthejë çështjen në gjykatë, duke kërkuar rehabilitim ligjor dhe moral. Gjyqi i ri u hap në korrik 2025 në Busan, ku edhe prokurorët kërkuan falje publike dhe rekomanduan anulimin e vendimit të vjetër.
Fjalët e një viktime që jetoi si e dënuar
“Për 61 vjet, shteti më bëri të jetoj si një kriminele,” deklaroi zonja Choi para gjykatës. Në përfundim të procesit, gjykata vlerësoi se veprimi i saj në vitin 1964 ishte një përpjekje për të shpëtuar nga një sulm ndaj integritetit të saj fizik dhe seksual, duke shfuqizuar vendimin e mëparshëm si të padrejtë.
“Në atë kohë nuk kuptoja asgjë. Viktima u kthye në agresore dhe fati im u vulos si një kriminele. Për gratë që kanë kaluar të njëjtin fat si unë, desha të jem një burim shprese”, tha ajo pas vendimit të pafajësisë.
Mbështetje dhe solidaritet
Shumë aktiviste të të drejtave të grave ishin të pranishme në seancën gjyqësore, duke i ofruar lule dhe përqafime jashtë gjykatës. Rasti i Choi Mal-ja është përmendur tashmë si një moment historik për drejtësinë gjinore në Kore dhe si dëshmi se kërkimi për drejtësi nuk ka afat skadence.







