Prokuroria e Posaçme ka zhbllokuar llogaritë bankare të kompanisë nga Katari të përfshirë në projektin e Zvërnecit, pasi ato ishin bllokuar më herët në kuadër të një hetimi për dyshime mbi një skemë të mundshme tjetërsimi pronash në zonë.
Sipas portalit lapsi.al, SPAK ka liruar llogaritë bankare të vëllezërve miliarderë nga Katari, Ramez dhe Mohamad Al-Khayyat. Burime të cituara nga i njëjti portal bëjnë me dije se ky vendim është marrë për të shmangur përballje të mundshme ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit.
Megjithatë, SPAK vijon hetimet për çështjen e pronësisë së tokave në Zvërnec dhe për mekanizmat e dyshuar të tjetërsimit të tyre.
Më herët, edhe kryeministri Edi Rama ishte shprehur se hetimet për çështjet e pronësisë duhet të vazhdojnë, por kishte kërkuar që të mos pengohen investitorët e huaj.
Në kuadër të hetimeve, SPAK kishte sekuestruar edhe llogaritë e kompanisë “Albania Land Development”, ndërsa një prej administratorëve të saj, Redi Struga, iu nënshtrua kontrollit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).
Në qendër të hetimit përmendet edhe Artur Shehu, i cili jeton në SHBA dhe dyshohet se ka pasur rol në skemën e pretenduar të tjetërsimit të pronave.


