
Ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me drejtorin e përgjithshëm të Doganave, Besmir Peja dhe atë të Tatimeve, Ilir Binaj, tha se ekonomia shqiptare po ndjek një trajektore të qëndrueshme rritjeje dhe konsolidimi.
Sipas tij, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 u shënua rritje e të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa ekonomia vijon të mbështetet nga aktiviteti i ndërmarrjeve.
“Ekonomia shqiptare në tremujorin e parë të vitit 2026 u rrit me 3.7%, një ritëm më i lartë se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e Bashkimit Evropian”, tha ministri.
Ndërsa shtoi se ka pritshmëri pozitive për pjesën e mbetur të vitit.
“Deri në fund të vitit 2026 parashikojmë që rritja ekonomike të arrijë në 4%, ku kontributin kryesor do ta japin sektori i shërbimeve, si dhe investimet private dhe publike”- u shpreh Malaj duke shtuar se qeveria synon që Prodhimi i Brendshëm Bruto të arrijë në rreth 29 miliardë euro deri në fund të vitit 2026. Versus.al

