
Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi sqaroi nëse Monika Kryemadhi kishte një ftesë nga Partia për të marrë pjesë në Konventën e Partisë së Lirisë.
Blushi ka dhënë një përgjigje jo konkrete lidhur me këtë, duke thënë se sot Partia e Lirisë bëri një Konventë dhe jo një dasmë, që “të shpërndajë ftesa”. “Konventa e Tiranës nuk është dasmë, që të shpërndajmë ftesa, por të gjithë anëtarët e PL janë të ftuar”, deklaroi Blushi.
“Ju ftojmë të flasim për juristë, mjekë, studentë, që u ngjitën në podiumin e Konventës së Tiranës. Është një forcë që do na ndihmojë shumë që të arrijmë 5 prioritetet tona. Ju ftoj të merrni në intervistë dhjetëra intelektualët e rinj, që sot morën teserën e PL dhe na motivojnë edhe më shumë, që të vëmë në jetë këtë program të jashtëzakonshëm. PL nuk lidhet me një njeri të caktuar, por përfaqëson kauza të drejta të popullit shqiptar. Kushdo që është në opozitë me keqqeverisjen, e ka derën e hapur në PL. Partia e Lirisë jam i bindur se do të votohet masivisht. Konventa e Tiranës nuk është dasmë, që të shpërndajmë ftesa, por të gjithë anëtarët e PL janë të ftuar.”, tha Blushi.

