
Një aksident i rëndë i ndodhur mbrëmjen e djeshme i preu jetën në mes gazetarit të njohur Enrik Mehmeti, njërit prej emrave më të njohur të raportimit në Vlorë. Familjarët, kolegët dhe i gjithë komuniteti mediatik është tronditur nga lajmi i rëndë.
Sot gazetari do të përcillet për në banesën e fundit në orën 14:00 në varrezat e Vlorës, ndërsa homazhet do të mbahen në orën 12:00.
Gazetarë, politikanë e personazhe publikë kanë shprehur trishtimin për lajmin e rëndë të marrë mbrëmjen e djeshme. Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale shprehu hidhërimin për këtë humbje të madhe duke e cilësuar të ndjerin si një profesionist me përkushtim dhe karakter të palëkundur.
‘’Me hidhërim të thellë, në emër të komunitetit të gazetarëve dhe të gjithë anëtarëve të Sindikatës së Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM), morëm lajmin e rëndë të ndarjes së parakohshme nga jeta, në moshën 40-vjeçare, të një prej themeluesve të sindikatës sonë dhe anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të SGPM, Enrik Mehmeti.
Enriku ishte një bashkëpunëtor dhe kontribues i çmuar, jo vetëm në hapësirën mediatike shqiptare, por edhe në forcimin e komunitetit të gazetarëve dhe në mbrojtjen e kauzave që lidhen me lirinë e medias, të drejtat profesionale dhe parimet themelore të gazetarisë.
Ndarja e tij e parakohshme lë një boshllëk të madh në familje, mes kolegëve dhe në mbarë komunitetin mediatik. Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias humbi një nga përfaqësuesit dhe kontribuesit më të rëndësishëm të saj, kolegët humbën një mik të çmuar, familja njeriun e saj të dashur, ndërsa media shqiptare humbi një profesionist me integritet, përkushtim dhe karakter të palëkundur.
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe mbarë komunitetit mediatik shqiptar’’-thuhet në reagim.
Redaksia e Versus.al ju shpreh ngushëllimet familjarëve për humbjen e madhe!

