
Një ngarkesë kafeje “Prince Caffe”, prodhim i grupit Devolli me origjinë nga Kosova, u ndalua në kufirin kroat pas analizave laboratorike që zbuluan një nivel shumë të lartë të akrilamides, një substancë e lidhur me rrezikun kancerogjen.

Autoritetet kroate raportuan rastin në sistemin e alarmit të shpejtë për ushqimin të Bashkimit Evropian (RASFF), duke e regjistruar si një rrezik serioz për shëndetin publik.
Sipas analizave të kryera më 11 dhjetor 2025, përqendrimi i akrilamides në kafe ishte 746.3 mikrogramë për kilogram, pothuajse dyfish mbi kufirin maksimal të lejuar në BE prej 400 mikrogramë për kilogram.
Ky rezultat tregon një dështim të mundshëm të kontrollit industrial gjatë pjekjes dhe procesit të prodhimit, duke nxitur shqetësime serioze për konsumatorët.
Autoritetet europiane dhe ato kroate po monitorojnë situatën, ndërsa kompania Devolli është thirrur të japë shpjegime dhe të ndërmarrë masa për të garantuar sigurinë e produkteve të saj.
Rasti është regjistruar në sistemin RASFF si 2025.10458, duke aktivizuar mekanizmat për të parandaluar përhapjen e kafes së kontaminuar në tregjet europiane.
Ekspertët paralajmërojnë konsumatorët të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve ushqimore lidhur me këtë produkt.
Çfarë janë akrilamidet dhe pse janë të rrezikshme?
Akrilamidet janë substanca që klasifikohen si potencialisht kancerogjene (Grupi 2A) nga Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin (IARC) e OBSH-së që në vitin 1994. Studime më të fundit tregojnë se ekspozimi kronik ndaj tyre mund të dëmtojë fibrat nervore dhe të rrisë rrezikun për sëmundje neurodegjenerative, si Alzheimeri.
Një meta-analizë e vitit 2022 në revistën Frontiers in Nutrition, e bazuar në 31 studime me mbi 1 milion persona, gjeti lidhje midis marrjes së mesatare prej 23 mikrogramësh akrilamide në ditë për 15 vjet dhe rritjes së rrezikut për disa lloje kanceri, përfshirë ato të zgavrës orale, stomakut, ezofagut, prostatës, pankreasit dhe tiroides.
Akrilamidet formohen gjatë gatimit në temperatura të larta, sidomos në procese industriale, por edhe në gatimin shtëpiak, kur ushqimet me përmbajtje të lartë niseshteje i nënshtrohen reaksioneve të sheqernave dhe aminoacideve. Ato gjenden jo vetëm në kafe, por edhe në patate të skuqura, biskota, pica dhe produkte të tjera të pjekura.
Organizata Safe Food Advocacy Europe ka theksuar nevojën për ndërgjegjësim më të madh të konsumatorëve dhe për rregullore më të rrepta për këtë përbërës toksik. Konsumatorët në rajon presin aktualisht sqarime dhe veprime konkrete nga autoritetet për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm shëndetësor./ Versus.al

