AKTUALITET /

BE nis sistemin e ri kufitar Entry/Exit nga 11 prilli 2026, ndryshojnë rregullat për shqiptarët

BE nis nga 11 prilli 2026 sistemin Entry/Exit (EES), i cili zëvendëson vulosjen e pasaportave me regjistrim elektronik dhe të dhëna biometrike për qytetarët jashtë Schengen-it, përfshirë shqiptarët. Sistemi synon të forcojë kontrollin kufitar dhe të identifikojë automatikisht shkeljet e afatit të qëndrimit, duke modernizuar menaxhimin e lëvizjeve në BE.

Shkruar nga Versus

BE nis sistemin e ri kufitar Entry/Exit nga 11 prilli 2026, ndryshojnë

Bashkimi Europian do të hyjë në një fazë të re të kontrollit kufitar duke nisur nga 11 prilli 2026, me zbatimin e plotë të sistemit Entry/Exit (EES), i cili ndryshon mënyrën e regjistrimit të hyrje-daljeve në zonën Schengen për qytetarët jashtë BE-së, përfshirë edhe shqiptarët.

Sistemi i ri do të zëvendësojë vulosjen e pasaportave me regjistrim elektronik, ku çdo hyrje dhe dalje do të dokumentohet në një databazë të unifikuar.

Gjatë kalimit kufitar do të mblidhen të dhëna si data e hyrjes dhe daljes, fotografia e fytyrës dhe gjurmët e gishtave.

Zbatimi i plotë vjen pas një periudhe testimi dhe aplikimi gradual, ndërsa nga prilli sistemi do të funksionojë në të gjitha pikat kufitare të 29 vendeve të zonës Schengen.

Në hyrjen e parë, udhëtarët do të kalojnë një proces regjistrimi më të gjatë për marrjen e të dhënave biometrike, ndërsa më pas verifikimi do të jetë më i shpejtë.

Në shumicën e rasteve, gjurmët e gishtave nuk do të merren në çdo kalim, por vetëm kur sistemi e kërkon për arsye teknike apo verifikimi identiteti.

Po ashtu, në disa pika kufitare do të vendosen pajisje vetëshërbimi për të përshpejtuar procesin dhe për të reduktuar radhët.

Sistemi Entry/Exit synon të identifikojë automatikisht shkeljet e afatit të qëndrimit prej 90 ditësh, të luftojë migracionin e paligjshëm dhe të rrisë sigurinë në kufijtë e BE-së.

Për udhëtarët, kjo nënkupton më shumë kontroll, por edhe një sistem më të organizuar dhe digjital të menaxhimit të lëvizjeve në hapësirën Schengen./Versus.al

Tags:

entry/exit

Poll