AKTUALITET /

VIDEO/ Shpërthim i fuqishëm në Lezhë, bombola e gazit shkatërron byrektoren dhe dëmton bizneset përreth

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, në ambientet e një byrektoreje, ku sipas të dhënave paraprake dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.

Shkruar nga Versus
VIDEO/ Shpërthim i fuqishëm në Lezhë, bombola e gazit
Pamje nga vendngjarja

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mbrëmjen e së dielës qytetin e Lezhë, duke shkaktuar panik te banorët e lagjes “Besëlidhja”.

Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, në ambientet e një byrektoreje, ku sipas të dhënave paraprake dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi. Si pasojë e shpërthimit, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale jo vetëm në biznesin ku ndodhi incidenti, por edhe në dy subjekte ngjitur.

Po ashtu, janë dëmtuar tre automjete të parkuara pranë lokalit, ndërsa janë thyer edhe xhamat e disa banesave përreth. Zhurma e fortë ka alarmuar banorët e zonës, të cilët kanë dalë të frikësuar jashtë banesave të tyre.

Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Policia bën me dije se grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e saktë të shkakut të shpërthimit.

Njoftimi i policisë

“Rreth orës 23:00, të datës 05.04.2026, në qytetin e Lezhës, në brendësi të një biznesi (lokal byrektore), në pronësi të shtetasit K. M., dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.

Si pasojë, janë shkaktuar dëme materiale në lokal, janë dëmtuar xhamat e 3 automjeteve të parkuara pranë tij, si dhe janë konstatuar dëmtime të jashtme në dy bizneset ngjitur.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon intensivisht veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe të shkakut të shpërthimit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit”, njofton policia./Versus.al

Poll