AKTUALITET /

“Burg dhe atyre që s’u pëlqen sallata…”, review-t te bizneset e “favorizuara”dhe një paralajmërim nga kryepolici për klientët e tyre

E rëndësishme është të bëhet dallimi mes komenteve reale negative të klientëve, të cilat mbrohen si shprehje e mendimit dhe komenteve të rreme ose të koordinuara, të cilat mund të hiqen dhe të sjellin përgjegjësi ligjore

Shkruar nga Versus

“Burg dhe atyre që s’u pëlqen sallata…”,

Policia e Shtetit njoftoi sot se ka dyshime për një sulm të koordinuar kibernetik ndaj disa bizneseve me qëllim prishjen e imazhit të tyre përmes komenteve negative në profilet e këtyre bizneseve në internet.

Vetë kryepolici Skënder Hita në një dalje për mediat tha se janë konstatuar mbi 10 mijë llogari me modele aktiviteti të dyshimtë.

Por ai nuk tha se këto komente janë të qëllimshme, ndërsa u ka bërë thirrje bizneseve të kallëzojnë në polici cdo rast të tillë.

Çfarë ka ndodhur realisht?

Nga një vëzhgim i “Versus Albania”, nisur nga aludimet e disa biznesmenëve si Gjergj Luca i “Rozafa fish city”, ne kërkuam në internet të shihnim çfarë ka ndodhur realisht me pritshmëritë e turistëve apo qytetarëve që zakonisht komentojnë për shërbimin, pasi e kanë frekuentuar një biznes.

Në faqen e “Rozafa fish city” në maps, review kanë rënë nga 5.211 në 2.2 yje.

“Burg dhe atyre që s’u pëlqen sallata…”,

Nëse sheh komentet, vërehen ato negative të javëve të fundit, krahasuar me një muaj më parë.

Disa nga profilet që kanë lënë komentin e tyre janë me emër dhe mbiemër, ndërsa ka dhe profile që nuk tregojnë identitetin e qartë të komentuesit.

Në komente, kritika shihet për dhomat, për shërbimin.

E njëjta situatë vërehet dhe në faqen në internet të “Zinz”, ku review kanë rënë nga 4.357 në 1.9 yje.

“Burg dhe atyre që s’u pëlqen sallata…”,

Komentuesit janë nga më të ndryshmit, ku në tërësi reagime negative ka për shërbimin e kamariereve ku cilësohen të egër, shërbimi por ka dhe komente që lidhin pronarin e “Zinz” me politikën.

Ndërsa në deklaratën e saj, policia nuk mendon kështu.

Për ta, në të tilla raste duhet bërë kallëzim.

“Nëse provohet që është e qëllimshme, prek konkurrencën, besimin e konsumatorëve dhe perceptimin e Shqipërisë si një destinacion i sigurt.

Çdo përpjekje për të cenuar interesin ekonomik të vendit do të trajtohet me prioritet maksimal. Kush ka kontaktuar raste të ngjashme, të paraqesë kallëzim në polici”, tha Hita.

Mekanizmat mbrojtës ligjorë dhe roli i policisë

Vetë bizneset kanë mekanizmat e tyre mbrojtës nëse shohin një sulm të koordinuar ndaj tyre përmes komenteve negative në rrjet.

Ata dinë të dallojnë kur është sulm dhe kur jo.

Bizneset shqiptare, njëlloj si ato të huaja mund të raportojnë në platformën e google, TripAdvisor, Yelp, Trustpilot etj kur konstatojnë sulm kibernetik për prishje imazhi.

Platformat kanë politika për heqjen e komenteve të rreme, të koordinuara ose të krijuara nga llogari false.

Nga ana tjetër,  biznesi mbledh pamje ekrani, të dhëna teknike, analiza të trafikut dhe çdo provë që tregon se komentet janë të organizuara ose vijnë nga burime të dyshimta.

Gjithashtu ata mund të bëjnë hetim nga ekspertë të sigurisë kibernetike, të cilët mund të identifikojnë nëse ka pasur sulm to koordinuar me bot-e ose rrjete llogarish të rreme.

Vetëm nëse kjo konstatohet, biznesi mund të bëjë padi civile për shpifje, dëmtim të reputacionit, konkurrencë të pandershme ose ndërhyrje të paligjshme në aktivitetin tregtar, kur autorët identifikohen.

Ndërkohë dhe mbrojtja e konsumatorit ose konkurrencës, mund të ndërhyjë nëse rezulton se sulmi është organizuar nga një konkurrent.

Në vende si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania apo Franca, gjykatat kanë urdhëruar në raste të caktuara heqjen e komenteve të rreme dhe kanë dhënë dëmshpërblime kur është provuar se biznesi është dëmtuar nga një fushatë e organizuar.

Megjithatë, është e rëndësishme të bëhet dallimi mes komenteve reale negative të klientëve, të cilat mbrohen si shprehje e mendimit dhe komenteve të rreme ose të koordinuara, të cilat mund të hiqen dhe të sjellin përgjegjësi ligjore.

Por policia e Shtetit në deklaratën e saj, nuk dha të dhëna nëse biznesi ka denoncuar një fenomen të tillë, pra sulm të koordinuar që në pikun e sezonit kur konkurrenca është e lartë, mund dhe të ndodhë.

Ndërhyrja e policisë duket e pavend, sa kohë, asnjë prej bizneseve që u kanë rënë review nuk kanë deklaruar se e kanë konstatuar një sulm të tillë kibernetik, nga provat apo hetimet e tyre apo indicieve që kanë parë përmes mekanizmave mbrojtës.

Ajo vetëm bëri thirrje që bizneset të denoncojnë sepse nga ana e saj, do të ketë të gjithë mbështetjen e policisë.

Një ditë më parë, biznesmeni Gjergj Luca bëri ironi me komentet negative në faqen e “Rozafa fish city” në google, duke iu drejtuar personave që ai thotë se qëndrojnë se pas këtyre komenteve, se “vetëm sa na keni gudulisur”./Versus.al

 

Poll