AKTUALITET /

Ditët e para të 2026-ës me aksidente dhe mot të keq: Reshje shiu, borë, autoritetet rrugore apelojnë për kujdes!

Ditët e para të vitit 2026 u shënuan nga aksidente tragjike në rrugët e Shqipërisë dhe mot i keq me reshje shiu e borë, duke vështirësuar qarkullimin në akset kryesore. Autoritetet rrugore apelojnë për kujdes maksimal dhe përdorim të gomave dimërore, ndërsa fluksi i mjeteve vijon të jetë i lartë në segmente të caktuara.

Shkruar nga Versus

Ditët e para të 2026-ës me aksidente dhe mot të keq: Reshje

Ditët e para të vitit 2026 kanë nisur me mot të keq dhe rrugë të përgjakura nga aksidentet.

Mëngjesin e sotëm, një aksident i rëndë ndodhi në aksin Lezhë–Shkodër, pranë fshatit Gocaj, ku u përplasën dy automjete.

Si pasojë humbën jetën dy persona, një çift bashkëshortësh nga Puka, Elona Florini, 42 vjeç, dhe Petrit Florini, 53 vjeç, efektiv policie.

Një grua dhe dy fëmijë të mitur (6 dhe 2 vjeç) mbetën të plagosur dhe u transportuan në Spitalin Rajonal të Lezhës, jashtë rrezikut për jetën. Burimet nga policia njoftojnë se shkak i aksidentit dyshohet të jetë lagështira në rrugë.

Moti i keq vijoi të krijojë probleme edhe në Rrugën e Kombit, ku reshjet e dendura shiu dhe era e fortë shkaktuan tre aksidente me rreth 15 automjete të përfshira, mes tyre një mikrobus dhe një autoambulancë.

Gjashtë persona u lënduan, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Njësitë e autostradave dhe firmat mirëmbajtëse po kryejnë kriposjen e rrugëve, ndërsa Policia Rrugore apelon drejtuesit të pajisen me goma dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar.

Reshjet e borës përfshinë këtë mëngjes bashkitë Pukë e Fushë Arrëz, me trashësi mbi 20 cm në Qafën e Sharit, ndërsa në zonën e Qafë Thanës, Pogradec, reshjet ishin me intensitet të ulët deri mesatar.

Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka akse të bllokuara dhe qarkullimi vijon normalisht.

Gjithashtu, fillimi i vitit 2026 ishte tragjik edhe në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e quajtur “Bypass”, ku një përplasje mes dy automjeteve shkaktoi vdekjen e tre personave: Klejdi Myftari, 24 vjeç, Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, dhe Martin Dulaj, 25 vjeç. E fejuara e Dulajt, Arsida Demiri, 19 vjeçe, mbeti e plagosur dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë.

Autoritetet rrugore apelojnë për kujdes maksimal, respektimin e sinjalistikës rrugore dhe përshtatjen e shpejtësisë me kushtet e motit. Fluksi më i lartë i mjeteve është regjistruar në aksin Tiranë–Kukës–Morinë–Kosovë dhe në Kalimash për shkak të lirimit të rrugës pas aksidenteve./ Versus.al

Poll