
Dosja hetimore e SPAK ka nxjerrë në dritë komunikime të shumta të përgjuara në platformën e enkriptuar Sky ECC, ku anëtarë të një grupi të dyshuar kriminal diskutojnë me shqetësim të madh pas sekuestrimit të dy ngarkesave me kokainë në Europë dhe Amerikën Latine.
Sipas materialeve hetimore në dosjen e siguruar nga Versus Albania, në qendër të komunikimeve qëndron përdoruesi me kod “VYU326”, i identifikuar nga hetuesit si Denis Matoshi alias Eldi Dizdari, i cili komunikon me përdoruesin “RGICID”, i identifikuar si Salvatore Aliu.
Nga përmbajtja e bisedave rezulton se mes tyre diskutohet për ngarkesa kokaine, financime, borxhe dhe humbje të shkaktuara nga sekuestrimet, si dhe për organizimin e operacioneve në disa vende të Amerikës Latine, përfshirë Brazilin, Kolumbinë dhe Bolivinë.
Në komunikimet e datës 20 shtator 2020, përdoruesi “VYU326” shprehet se “ka 5 vjet kjo histori”, duke iu referuar aktivitetit të përbashkët
Hetimet bazohen në komunikimet e përgjuara në platformën e enkriptuar Sky ECC, të cilat sipas SPAK kanë shërbyer si provë kryesore për zbardhjen e roleve dhe veprimeve të të dyshuarve në këtë rrjet.
Salvatore Aliu (RGICID) dyshohet në rolin e furnizuesit të kokainës në sasi të mëdha nga Amerika Latine.
Denis Matoshi / Eldi Dizdari (VYU326) dyshohet si porositës dhe organizator i shpërndarjes në Europë.
Naldi Yzeiraj (UQ6BËP) identifikohet si përgjegjës për operacionet në terren dhe financat në Ekuador.
Oklid El Quejdi (SIKPKA) rezulton i përfshirë në komunikime operative dhe koordinim brenda grupit.
Një nga goditjet kryesore të përfshira në dosje është sekuestrimi i mbi 2 tonëve kokainë në Guayaquil të Ekuadorit më 6 qershor 2020, një ngarkesë që sipas hetuesve kishte destinacion final Europën.
Sasia e kapur arrinte mbi 2,010 kilogramë kokainë të pastër, ndërsa pakot mbanin logo të ndryshme identifikuese si “Jaguar”, “Shqiponja” dhe “BB”.
Pas këtij sekuestrimi, komunikimet në Sky ECC tregojnë një atmosferë alarmi brenda grupit, ku anëtarët flasin për “dy ngarkesa të rëna”, humbje të mëdha financiare dhe rrezikun e hetimeve ndërkombëtare.
Komunikimet tregojnë jo vetëm panik mes anëtarëve të grupit, por edhe frikën se në hetime ishte përfshirë Agjencia Amerikane kundër Drogës (DEA), duke e çuar çështjen në një nivel ndërkombëtar.
Në një nga komunikimet e datës 8 qershor 2020, një nga personat e përfshirë në bisedë paralajmëron bashkëbiseduesit:
“Ok la mos fol me njeri për këtë punë që jam kap se paska hy DEA. Janë lidhur të dyja punët, edhe këtu edhe atje, keq situate, na ka kap Amerika”
Sipas hetuesve, këto fraza tregojnë bindjen e brendshme të grupit se autoritetet kishin arritur të bashkonin dy operacione të ndara sekuestrimi në një hetim të vetëm ndërkombëtar.
Pas sekuestrimeve, komunikimet marrin një tjetër ton – atë të fshehjes dhe mohimit të përfshirjes.
Në biseda thuhet
“mos fol me njerës”
“duhet me e muhu, s’është e jona”
“ky çon të tjerë që bëjnë punën”
Sipas SPAK, këto mesazhe tregojnë përpjekje për të shmangur identifikimin e anëtarëve të rrjetit dhe për të distancuar veten nga ngarkesat e sekuestruara.
Në komunikime përmendet gjithashtu se grupi ishte përballur me humbje të konsiderueshme financiare, pasi dy ngarkesa të rëndësishme ishin sekuestruar brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.
Sipas dosjes hetimore, komunikimet në Sky ECC janë pjesë e një hetimi më të gjerë që dokumenton aktivitetin e një rrjeti të organizuar kriminal me shtrirje në disa shtete.
Hetuesit theksojnë se trafiku i kokainës kishte origjinë nga Amerika Latine, ngarkesat destinoheshin drejt Europës, rrjeti kishte struktura logjistike dhe financiare të mirëorganizuara dhe ndërhyrjet ndërkombëtare përfshinin edhe DEA.
Sipas SPAK, Naldi Yzeiraj rezulton një figurë kyçe në terren, përgjegjës për koordinimin e operacioneve në Ekuador, kontaktet lokale dhe menaxhimin e financave të grupit.
Ai dyshohet se kishte dijeni për magazinat, sasitë e drogës dhe përgatitjen e ngarkesave për transport ndërkombëtar, ndërsa në komunikime shfaqet duke dërguar foto të paketimeve të kokainës.
Nga bisedat del se rrjeti shtrihej në disa vende të Amerikës Latine, përfshirë Kolumbinë, Brazilin dhe Bolivinë, ku diskutohej sigurimi i ngarkesave dhe transporti i tyre drejt Europës.
Anëtarët flasin për lëvizje të vazhdueshme, baza operacionale dhe rrezik të shtuar nga kontrollet ndërkombëtare. Sipas hetuesve, komunikimet në Sky ECC, së bashku me provat e tjera, tregojnë ekzistencën e një strukture të mirëorganizuar kriminale me role të ndara për furnizim, financim, transport dhe shpërndarje të kokainës në tregun europian. Versus.al

