AKTUALITET /

E rëndë në Shkodër: 'Futbollisti' afrikan plagoset në fabrikë, dyshohet se punonte në të zezë

Fillimisht pretendoi se u lëndua në hotel, por e vërteta pas prerjeve serioze në dorë dhe këmbë, policia nis hetimet

Shkruar nga Versus

E rëndë në Shkodër: 'Futbollisti' afrikan plagoset

Një shtetas afrikan, i punësuar në Shkodër, është plagosur rëndë gjatë orarit të punës në një fabrikë që operonte në kushte të jashtëligjshme. 

Sipas burimeve zyrtare, 25-30 vjeçari, i njohur edhe si futbollist i një klubi vendor, kishte deklaruar fillimisht se ishte lënduar aksidentalisht në dhomën e një hoteli. Por hetimet dhe intervistat e mëtejshme zbuluan se ai ishte plagosur në punë, duke pësuar prerje të thella në dorë dhe këmbë.

Ai u transportua menjëherë në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Sipas mjekëve, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën, por dëmtimet mbeten serioze.

Burimet nga policia e Shkodrës bëjnë me dije se fabrika ku punonte shtetasi afrikan operonte në mënyrë të jashtëligjshme dhe merrej me prodhimin e kompostove. Në mungesë të punonjësve vendas, ishin punësuar persona nga vendet e treta. Ngjarja ka vënë në dukje mungesën e sigurisë dhe standardeve minimale të punës në këtë ambient.

Pas deklaratës së parë të rreme, e cila ishte e mbuluar nga një pretendim për aksident në hotel, i plagosuri dhe një person tjetër u morën në pyetje nga policia, duke zbardhur ngjarjen e vërtetë.

Policia lokale ka nisur një hetim të plotë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të verifikuar kushtet e punës në fabrikë. Autoritetet paralajmërojnë se do të merren masa ndaj çdo shkeljeje ligjore që ka rrezikuar jetën e punonjësve.

 

 

Poll