
Ka përfunduar në mënyrë tragjike kërkimi disa ditor për Flamur Kolmarkun, ish-ushtarak karriere dhe një prej drejtuesve të Gardës së Republikës, i cili rezultonte i zhdukur që prej pasdites së së enjtes.
Lajmi i rëndë është konfirmuar mëngjesin e së dielës për Newsbomb nga bashkëshortja e tij, e cila ka bërë me dije se ai është gjetur pa shenja jete.
“E gjetëm, ka ndërruar jetë”, është shprehur ajo mes dhimbjes, duke i dhënë fund shpresave të familjarëve dhe të afërmve që e kërkonin prej ditësh.
Që prej momentit të zhdukjes, familjarët kishin nisur kërkime intensive në disa zona të vendit, duke apeluar për ndihmë dhe duke shpërndarë informacion në rrjete sociale dhe media. Për disa ditë me radhë, kërkimet vijuan pa ndërprerje, në përpjekje për ta gjetur të gjallë.
Flamur Kolmarku kishte një karrierë të gjatë në strukturat e sigurisë së shtetit, duke shërbyer për më shumë se dy dekada në Gardën e Republikës, institucion përgjegjës për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore. Gjatë karrierës së tij, ai ishte konsideruar një figurë e respektuar në radhët e këtij institucioni.
Sipas informacioneve të familjes, 55-vjeçari vuante nga një formë e veçantë demence, e cila i kishte shkaktuar probleme të theksuara me kujtesën dhe orientimin. Gjendja e tij shëndetësore, sipas të afërmve, ishte përkeqësuar gradualisht në vitet e fundit.
Familjarët kanë treguar se shenjat e para të përkeqësimit kishin nisur pas një periudhe të vështirë shëndetësore të kaluar nga Kolmarku gjatë pandemisë së COVID-19, ndërsa më pas u vunë re ndryshime të sjelljes dhe kujtesës, të cilat me kalimin e kohës u thelluan. Megjithatë, për një periudhë të gjatë, analizat mjekësore nuk kishin nxjerrë probleme të qarta, deri në vendosjen përfundimtare të diagnozës së demencës.
Sipas familjarëve, së fundmi ai kishte nisur trajtim me medikamente specifike për gjendjen e tij, përfshirë barna për demencën dhe gjumin.
Gjatë kërkimeve, mjekë dhe familjarë kishin sugjeruar se, për shkak të gjendjes shëndetësore, ai mund të ishte drejtuar instinktivisht në zona ku kishte kujtime nga fëmijëria dhe rinia, si Mamurrasi, Rubiku apo Kurbneshi.
Ai ishte raportuar për herë të fundit duke lëvizur në zonën Bulqizë–Burrel dhe më pas në aksin Burrel–Urakë, çka kishte orientuar edhe kërkimet në terren.
Gjetja e tij pa shenja jete i ka dhënë fund kërkimeve dhe ka lënë pas një dhimbje të thellë për familjen, miqtë dhe të njohurit. Kolmarku kujtohet si një profesionist i përkushtuar dhe një figurë e respektuar që i shërbeu për dekada institucioneve të sigurisë së shtetit.

