
Policia e Fierit ka finalizuar një operacion antidrogë të koduar “Flagranca”, duke arrestuar në flagrancë dy të rinj që dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në zona të ndryshme të qarkut.
Në pranga kanë rënë Tomas Feracaku, 26 vjeç, dhe Antonio Hasko, 29 vjeç, të dy banues në fshatin Grabian të Divjakës. Sipas policisë, ata u kapën teksa lëviznin me automjet dhe kishin me vete qindra doza kokainë dhe kanabis, të gatshme për shitje.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në automjet dhe në banesat e tyre, shërbimet e Policisë sekuestruan dhjetëra doza të tjera lënde narkotike, një peshore elektronike, një grirëse për përpunimin e drogës, tre aparate celularë si dhe automjetin e përdorur për shpërndarje.
Hetimet paraprake sugjerojnë se të arrestuarit siguronin lëndë narkotike në sasi më të mëdha, të cilën më pas e ndanin në doza dhe e shpërndanin në disa zona të ndryshme.
Policia bën me dije se operacioni u zhvillua pas informacioneve të siguruara më parë dhe ndërhyrja u krye në momentin kur të rinjtë po qarkullonin me automjet në fshatin Grabian, duke u kapur në flagrancë.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Fierit, ndërsa hetimet për veprimtarinë e tyre të dyshuar kriminale vijojnë./Versus.al

