
Tina Pajollari, 21-vjeçarja nga Korça, e akuzuar për përfshirje në ngjarjen e rëndë të vrasjes së Martin Çeços në vitin 2022, në një intervistë telefonike për emisionin “Me zemër të hapur”, ka mohuar çdo lidhje me krimin dhe ka ngritur akuza të forta ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit.
Pajollari tha se gjatë periudhës 3-vjeçare në burg, është përballur me presione gjatë hetimeve për një çështje penale që lidhet me këtë vrasje, duke kujtuar se është shoqëruar dhe mbajtur për tre ditë në një hotel pranë ambienteve të policies.
“Kam qenë nën presion të vazhdueshëm për të ndryshuar deklarimet e mia. Më kanë thënë se nëse nuk pranoja, do të përfundoja në burg”, tha ajo gjatë intervistës në emisionin “Me zemër të hapur”.
Ajo pretendoi gjithashtu se ka përjetuar trajtim të rëndë dhe kërcënime gjatë kësaj periudhe, përfshirë edhe dhunë fizike, ndërsa shton se këto pretendime i ka paraqitur edhe në gjykatë.
Ajo ka thënë se gjatë qëndrimit në burg ka kontaktuar psikologë dhe ka këmbëngulur se është e pafajshme, duke mohuar çdo përfshirje në ngjarjen kriminale për të cilën është dënuar me 20 vite burg në shkallën e parë.
Ndërkohë, avokatët mbrojtës kanë deklaruar se do ta apelojnë vendimin e gjykatës, duke kërkuar rishikim të çështjes dhe përjashtim të saj nga akuzat për përfshirje në vrasje.
Tina Pajollari: Unë isha e vogël, presionet e vazhdueshme nga policia më bënë të ndryshoj version. 3 vitet e burgut të vështira, një muaj kisha problem burgun, më pas u ambientova. Më shumë rrija vetëm. Vinin nga jashtë bënin aktivitete në burg por nuk përfshihesha.
Në burg i kam treguar të vërtetën time. Kam folur me psikologet në burg, i kam thënë se jam e pafajshme dhe nuk kam lidhje me atë ngjarje, por jam detyruar të jap një tjetër version nga policia. Jam ndjerë shumë keq, u sëmura pasi dëgjova vendimin për 20 vjet burg.
Avokatët mbrojtës sapo kanë dalë nga salla e gjyqit deklaruan se do ta apelojnë vendimin e gjyqit ku kërkuan të mos përfshihej në vrasjen e Martin Çeços. Në vitin 2022, në emisionin “Me zemër të hapur”, Pajollari tha se s’ka patur njohje fare me viktimën.
Policia kërkoi që unë të pranoja se e kam njohur Martinin. Policia më ka mbajtur në një hotel pranë policisë 3 ditë dhe më ushtronin presion për të pranuar njohjen me Martin Çeçon. Më kanë trajtuar shumë keq, më mbanin, më kërcënonin, nëse nuk e pranon do të kalbesh në burg. Ka patur dhe dhunë fizike ndaj meje, kanë qenë shumë punonjës policie, dy i mbaj mend. Nëse i shoh dhe më kujtohen do ti tregoj emrat. Këto pretendime i kam thënë dhe në sallën e gjyqit. Gjykata e shkallës së parë nuk mori parasysh asgjë nga fjalët që kam thënë unë. Versus.al

