Dy mjeket gjinokolege Enriketa Kroi dhe Ibrime Mata janë akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për “neglizhencë në trajtimin mjekësor”, në lidhje me rastin e një pacienteje shtatzënë që humbi foshnjën pas trajtimit të pakujdesshëm.
Hetimet filluan pas kallëzimit të pacientes G.S., ndërsa organi i akuzës ka konstatuar se të dyja mjeket kanë vepruar me pakujdesi dhe kanë shkelur protokollet standarde mjekësore.
Sipas Prokurorisë, Ibrime Mata nuk ka mbajtur historikun mjekësor të pacientes dhe nuk ka reaguar ndaj shqetësimeve të saj të përsëritura, duke mos kryer ekzaminime shtesë që mund të kishin parandaluar përkeqësimin e gjendjes.
Më pas, pacienteja iu drejtua Enriketa Kroi, e cila gjithashtu nuk mori masat e nevojshme mjekësore, pavarësisht simptomave të qarta të një gjendjeje serioze, pre-eklampsi e formës së rëndë.
Prokuroria thekson se nuk ka asnjë dokumentim për matjen e parametrave vitalë, si tensioni apo pesha, duke treguar mungesë të ndjekjes mjekësore sipas standardeve të pranuara.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka vlerësuar se sjellja e mjekeve përbën veprën penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal, pasi neglizhenca e tyre çoi në humbjen e jetës së foshnjës dhe rrezik serioz për shëndetin e nënës.
Njoftimi i Prokurorisë
Prokuroria e Tiranës merr të pandehura dy mjeke obstetër-gjinekologe, neglizhuan pacienten dhe gjendjen e saj të rënduar duke çuar në humbjen e jetës së një foshnjeje.
Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë merr të pandehur shtetaset E.K. dhe I.M. për veprën penale ‘Neglizhencë në trajtimin mjekësor’ parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal, të dyja me profesion mjeke obstetër-gjinekologe.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.225, të vitit 2023, të nisura pas denoncimit të shtetases G.S., rezultoi se këto dy mjeke, kanë treguar sjellje të pakujdesshme dhe neglizhente që përfshijnë mosrespektimin e protokolleve standarde, mosmonitorimin e shenjave vitale dhe mosreagimin ndaj ndryshimeve shqetësuese në gjendjen e pacientes.
Më konkretisht, nga hetimet rezultoi se mjekja I.M. nuk ka hapur dhe nuk ka mbajtur historikun e të dhënave mjekësore për shtatzëninë e shtetases G.S., pavarësisht se ka kryer ekzaminime dhe ka ndjekur rastin për një periudhë të gjatë kohe. Pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme të pacientes, kjo mjeke nuk ka reaguar duke mos bërë ekzaminime të detajuara shtesë. Kjo sjellje ka çuar drejtpërdrejt në pasojat më të rënda, pikërisht lindjen e një foshnje prematur me probleme serioze shëndetësore dhe vdekjen e saj, si dhe rrezikimin e rëndë të jetës dhe shëndetit të nënës.
Në kushtet kur nga ana e mjekes I. M. po neglizhohej, pavarësisht shqetësimeve të saj dhe gjendjes së përkeqësuar pa asnjë përmirësim, pacientja iu drejtua edhe mjeke E.K. për të vazhduar ndjekjen e shtatzënisë. Por edhe kjo mjeke kreu një sërë veprimesh dhe mosveprimesh që përbëjnë shkelje të rënda të detyrës së saj profesionale dhe shëndetësore, duke cenuar seriozisht jetën dhe shëndetin e kallëzueses dhe të fëmijës. Gjatë kohës që e ndiqte, pacientja ka shfaqur simptoma të rënda që ishin sinjal i qartë për një gjendje patologjike serioze, e identifikuar më vonë si pre-eklampsi e formës së rëndë. Megjithatë, mjekja nuk ka ndërmarrë asnjë masë mjekësore të përshtatshme për të trajtuar ose për të parandaluar përkeqësimin e kësaj gjendjeje pavarësisht vizitave në klinikën private.
Gjithashtu, nuk ekziston asnjë dokument që të provojë se gjatë kësaj periudhe janë matur parametrat vitalë të pacientes, si tensioni apo pesha trupore. Nëse do të ishte vepruar sipas standardeve, këto matje do të ishin dokumentuar dhe do të shërbenin si bazë për vendimmarrje mjekësore.
Organi i Prokurorisë vlerëson se mungesa e plotë e historikut të të dhënave mjekësore, që shërben për vijimin e mjekimit është vetë një tregues i mjaftueshëm i moszbatimit të detyrimeve ligjore dhe etike që ka një profesionist mjekësor ndaj pacientit.
Në fund, nuk mund të anashkalohet fakti se pacientja është shtruar në maternitetin “Koço Gliozheni” me një diagnozë të rëndë, pre-eklampsi e avancuar, dhe se gjendja e saj kishte avancuar në një pikë të tillë që kërkoi ndërprerje të menjëhershme të shtatzënisë. Kjo situatë ishte rezultat i drejtpërdrejtë i mungesës së ndjekjes së duhur mjekësore dhe mosmarrjes së masave parandaluese nga mjeket që e kishin ndjekur më parë, E.K. dhe I.M.
Për sa më sipër Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë çmon se veprimet/mosveprimet e mjekeve obsetër E.K. dhe I. M. plotësojnë të gjithë kriteret që kërkon legjislacioni penal shqiptar për t’i cilësuar këto veprime si elementë të figurës së veprës penale të "Neglizhenca në trajtimin mjekësor ", e parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal.
/Versus.al
