Tiranë- Policia ka zbuluar një bazë armatimi në zonën e njohur “Myslym Shyri” në kuadër të operacionit “The Van” të organizuar nga sektori i krimeve të rënda.
Në pranga ka rënë 34 vjeçari Eugert Sino i cili dyshohet si personi që i posedonte. Ndërsa në kërkim janë shpallur dy persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen me dije nga policia për shkak të hetimeve që janë ende në vazhdim. Dyshohet se grupi vepronte në Laç, Burrel dhe Tiranë.
Gjatë kontrolleve u zbuluan edhe uniforma si ato të policisë. Në total janë sekuestruar 23 armë zjarri dhe municion luftarak me 15 mijë fishekë:
-12 armë zjarri pistoletë të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
-6 armë zjarri automatike;
-5 armë zjarri me tytë të gjatë (me shënjestër optike, të ngjashme me snajper);
-1 silenciator;
-17 krehra për armë zjarri të ndryshme;
-pjesë të ndryshme armësh zjarri;
-15 000 fishekë;
-17 kuti me pranga të ngjashme me ato që përdoren nga Policia;
-12 celularë dhe pajisje që përdoren për shpërthime në distancë;
-pajisje elektronike gjurmuese (GPS);
-pajisje për bllokimin e valëve;
-pajisje për numërimin e kartëmonedhave;
-3 komplete uniformash të ngjashme me ato të Policisë.
Policia po vijon punën për kapjen e dy personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ndërsa dyshohet se armët ishin trafikuar nga jashtë vendit për në Shqipëri. Versus.al

