
Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë vijuar protestën e madhe në Shkup, duke kërkuar respektimin e përdorimit të gjuhës shqipe dhe mbajtjen e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën amtare.
Me pankarta dhe thirrje të shumta, protestuesit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov. Gjatë marshimit, ata dëgjoheshin duke brohoritur: “Gjuha shqipe identitet, gjuha shqipe amanet, gjuha shqipe nuk negociohet”.
Protestës iu bashkuan edhe studentë shqiptarë nga Kosova, ndërsa studentët nga Shqipëria, sipas raportimeve mediatike, janë përballur me pengesa në kufi gjatë tentativës për të hyrë në Maqedoninë e Veriut.
Studentët thonë se kërkesat e tyre lidhen me të drejtat kushtetuese dhe barazinë gjuhësore, duke kundërshtuar çdo përpjekje për kufizimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore.
Kjo protestë vjen në një periudhë tensionesh politike dhe debatesh të vazhdueshme mbi zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut.

