
Dy ditë më parë, Versus.al publikoi detaje lidhur me mungesën e sinqeritetit nga kompania “Rossmann&Lala” e gjobitur disa herë për shkelje të gjetura nga AKU në kuadër të kontrolleve për sigurinë ushqimore.
Pavarësisht se në përgjigjien e dërguar, rrjeti i dyqaneve pretendonte se nuk ishte gjobitur nga AKU, faktet treguan të kundërtën sepse vetë institucioni bëri me dije se ky subjekt ishte gjobitur 17 herë vetëm brenda këtij viti, pra mesatarisht rreth 3 shkelje në muaj.
Përveçse shqetësimit për sigurinë ushqimore, shqetësim tjetër është edhe mungesa e sinqeritetit që e dëmton më shumë imazhin e rrjeteve të dyqaneve me seli në Gjermani. Ndryshe nga sa pretendon kompania për tërheqjen e menjëhershme të produkteve me probleme, AKU nënvizon problematika në sistemin e gjurmueshmërisë të këtij subjekti.
"Në momentin që një artikull hiqet nga shitja, e gjithë sasia e artikullit hiqet në mënyrë të menjëhershme nga rafti kudo që ai gjendet"-pretendon rrjeti i dyqaneve.
“Nga inspektimet e ushtruara pranë subjektit, në kuadër të njoftimeve të ardhura nga sistemi i njoftimeve alert ‘RASFF’, rezulton se është konstatuar problematika në sistemin e gjurmueshmërisë, për të cilën janë marrë edhe masat administrative të lartëpërmendura”- thotë AKU në përgjigjien për Versus.al sa i takon shkeljeve të përsëritura nga kjo kompani.
Ndërkohë, problematika raportohen edhe nga qytetarët të cilët ngrenë shqetësimin se pavarësisht lidhjes me kompaninë “Dirk Rossmann GmbH” në Gjermani, në fakt rrjetet e “Rossmann&Lala” nuk reflektojnë standartet e pritshme.
Në janar të këtij viti, u ngrit alarmi për bakteret e rrezikshme në qumështin pluhur të bebeve që rrezikonte të shkaktonte sëmundje gastrointestinale. Ky produkt i prodhuar nga Nestle, tregtohej nga “Rossman&Lala” në Shqipëri. Në total 744 kuti me këtë qumësht u konsumuan nga foshnjat e vendit tonë dhe Kosovës, ndërsa mijëra kuti të tjera u tërhoqën nga tregu.
Sërish më 20 maj, AKU njoftoi tërheqjen e biskotave “EnerBio Dinkel” dhe “Waffeln Natur”. nga tregu për shkak të zbulimit të toksinave të mykut. Kërkesa u bë nga vetë kompania “Dirk Rossmann GmbH” në Gjermani. Versus.al

