
Gjatë procesit gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kërkuar thirrjen si dëshmitar të kryeministrit Edi Rama, ish-kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe deputetit Taulant Balla.
Sipas Metës, prania e Ramës si dëshmitar ka të bëjë me sqarimine rrethanave që lidhen me ligjin e minierave dhe proceset përkatëse të vendimmarrjes.
“Do ishte me vlerë të thërrasim një ekspert në fushën e minierave, apo një ekspert të pavarur për të parë, që nga ky ndryshim ligjor sa subjekte kanë përfituar. Për të kuptuar, nëse ishte i nevojshëm a jo. Jeni përballë një fantazie të shfrenuar. Shtëpia këtu, shtëpia aty, pallati këtu pallati atje. Ne kemi jetuar deri më 2008-2009 në banesën e prindërve të bashkëshortes sime. Vendi u dha për pallat dhe prandaj duhet të lëviznim. Jemi vendosur tek blloku, pasi zonja kishte gjetur një okazion. 4 vite kemi qëndruar aty. Ndërtesa ishte me probleme, paçka se vendi ishte i mirë. Unë e kisha të pamundur për të bërë aktivitete sportive. Qëllimi nuk ishte te merrja një vilë. Kërkesa e parë ishte për një apartament afër stadiumit. Kjo për të qenë larg zhurmës së bllokut, plus ato muret ishin të lehta dhe dëgjohej gjithë zhurma e bllokut. Kryetari i Kuvendit ka vetëm një votë. Edhe kur voton kundër një ligji e ka për detyrë funksionale ta firmosë. Për këtë çështje këtu duhet të vijë Edi Rama, duhet të vijë kreu i grupit parlamentar të PS. Kurrë s’kam diskutuar me njeri, as për të marrë shtëpi, as për të lënë shtëpi. Të gjitha janë lidhje absurde, pasi kur nuk ke një fakt, kur nuk ke një sms, kur nuk ke një mail, atëherë do të bësh montazhe.”, tha ai.
Kërkesa e tij pritet të shqyrtohet nga gjykata, e cila do të vendosë nëse dëshmitarët e propozuar do të thirren për të dhënë deklarime në kuadër të procesit gjyqësor. Versus.al

