AKTUALITET /

Policia aksion në Vaun e Dejës, zbulohen parcela me kanabis, arrestohen vëlla e motër

Si rezultat i hetimeve, u arrestuan dy shtetas, vëlla e motër, Pal Pepaj dhe Agetina Pepaj, të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike.

Shkruar nga Versus

Policia aksion në Vaun e Dejës, zbulohen parcela me kanabis,

Një operacion policor i koduar “Monitorimi” është finalizuar në territorin e Vau i Dejës, ku është zbuluar një parcelë me bimë të dyshuara narkotike në fshatin Kroni i Madh.

Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të kontrolleve në terren dhe hetimeve me metoda proaktive, policia gjeti të kultivuara një numër të konsiderueshëm bimësh të dyshuara si Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan në vend, ndërsa një pjesë u sekuestrua si provë materiale.

Si rezultat i hetimeve, u arrestuan dy shtetas, vëlla e motër: Pal Pepaj dhe Agetina Pepaj, të dyshuar si autorë të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë edhe kryeplaku i fshatit dhe vrojtuesi i pyjeve, të dyshuar për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Hetimet vijojnë, ndërsa kontrollet për parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike po shtrihen në të gjithë qarkun e Shkodër.

Njoftimi i policisë

“Finalizohet operacioni i koduar “Monitorimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (vëlla e motër), të dyshuar si autorë të kultivimit të një numri të konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, në fshatin Kroni i Madh.

Procedohen në gjendje të lirë kryeplaku i fshatit Kroni i Madh dhe vrojtuesi i pyjeve, për shpërdorim detyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, si rezultat i kontrolleve intensive në terren dhe i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, finalizuan operacionin e koduar “Monitorimi”.

Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Kroni i Madh, u gjetën të kultivuara një numër i konsiderueshëm bimësh dhe fidanësh të dyshuar narkotikë Cannabis Sativa, të cilët u asgjësuan nëpërmjet djegies, përveç një pjese që u sekuestrua si provë materiale.

Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit P. P., 33 vjeç, dhe A. P., 43 vjeçe (vëlla e motër), banues në fshatin Kroni i Madh, të dyshuar si autorë të kultivimit.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit D. D., 51 vjeç, kryeplak i fshatit Kroni i Madh, dhe N. G., 56 vjeç, vrojtues pyjesh, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Kontrollet vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Shkodër, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Poll