
Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO, duke vulosur dënimet ndaj grupit të Emiljano Shullazit për veprat penale të gjobëvënies dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal.
Për Emiljano Shullazin mbetet dënimi me 14 vite burg, ndërsa Endrit Qyqja dhe Endrit Zela do të vuajnë nga 10 vite burg secili. Për Blerim Shullazin u konfirmua dënimi me 9 vite heqje lirie.
Sa i përket Gilmando Danit, Gjykata e Lartë vendosi mospranimin e rekursit për shkak se ai ka ndërruar jetë. Dani ishte dënuar më herët me 12 vite burg, por ishte liruar nga qelia përpara se të mbetej viktimë e një atentati mafioz në nëntor të vitit 2025, pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku humbi jetën së bashku me mikun e tij, efektivin e AMP-së, Mustafa Sheqeri.
Dosja në fjalë lidhet me akuzat për gjobëvënie dhe aktivitet në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, për të cilat Shullazi dhe bashkëpunëtorët e tij ishin shpallur fajtorë prej disa vitesh nga drejtësia e posaçme.
Ndërkohë, Emiljano Shullazi i cili konsiderohet si kreu i grupit, vijon të qëndrojë në qeli edhe për dy dosje të tjera të SPAK, përkatësisht operacionet ''Asgjë nuk harrohet'' dhe ''Revanshi''. Për këtë të fundit SPAK ka kërkuar dënimin e tij me 10 vite burg për akuzën e sigurimit të kushteve për vrasjen e mbetur në tentativë të të fortit të Niklës, Durim Bami. Versus.al

