
Një 50-vjeçar me inicialet E.L. është arrestuar pas një serie të gjatë veprimesh të dyshuara për përndjekje, kërcënime dhe shantazh ndaj një gruaje me të cilën, sipas denoncimit, nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie apo njohje të mëparshme.
Sipas kallëzimit të bërë në polici, ai dyshohet se ka hapur mbi 20 profile të rreme në rrjete sociale duke përdorur fotografinë e viktimës, ku ka publikuar mesazhe fyese dhe banale, duke cenuar rëndë reputacionin e saj.
Po ashtu, ai akuzohet se ka ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj saj dhe familjes, përfshirë edhe fëmijët.
Denoncimi pretendon se për një periudhë disa mujore, i dyshuari ka ndjekur dhe shqetësuar vazhdimisht gruan, duke i shkaktuar frikë dhe ankth, deri në atë pikë sa ajo është detyruar të kufizojë lëvizjet dhe jetën e përditshme.
Në kallëzim përmenden gjithashtu kërcënime serioze, përfshirë edhe mesazhe ku pretendohet se i dyshuari ka ushtruar shantazh për marrëdhënie intime dhe ka kërcënuar me dhunë.
Policia ka ndërhyrë pas disa denoncimesh dhe ka sekuestruar prova të konsideruara të rëndësishme për hetimin, përfshirë materiale dixhitale dhe komunikime të ndryshme.
Prokuroria ka kërkuar masën e arrestit me burg, ndërsa gjyqtarja e Vlorës, Dorina Stroka ka vendosur ta lirojë me garanci pasurore, vendim që ka ngjallur debat mbi mënyrën e trajtimit të rasteve të përndjekjes dhe dhunës psikologjike.
Rasti vijon të hetohet, ndërsa autoritetet pritet të shqyrtojnë më tej provat e paraqitura nga pala kallëzuese./Versus.al

