
Një 40-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Shtetit në Kamëz, pasi dyshohet se tentonte të shiste një armë zjarri pa leje.
Sipas policisë, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në kuadër të operacionit të koduar “Qëllimi”, ndaloi automjetin e shtetasit Irgen Mezini, 40 vjeç, në zonën e quajtur “Treshi”.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një pistoletë me municion luftarak, e cila dyshohet se mbahej me qëllim shitjen.
Në pranga ka rënë gjithashtu edhe Andi Sulika, 35 vjeç, i cili shoqëronte 40-vjeçarin dhe akuzohet për veprën penale të moskallëzimit të krimit.
Materialet proceduriale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia e Shtetit bëri me dije se vijon punën për goditjen e trafikut të armëve dhe veprimtarive të paligjshme në vend./Versus.al

