
Britani e Madhe- Tre shqiptarë janë dënuar nga gjykata për përfshirje në një rrjet të organizuar të trafikut të emigrantëve drejt Mbretërisë së Bashkuar. Toni Liko, 42 vjeç, dhe Klement Gjika, 44 vjeç, janë dënuar secili me nga 5 vite e 8 muaj burg, ndërsa Stelian Bodnariu, 37 vjeç, u dënua me 3 vite e 4 muaj. Sipas hetimeve, emigrantët paguanin deri në 11 mijë paund për t’u futur ilegalisht në territorin britanik.
Hetimi i zhvilluar nga Metropolitan Police Service zbuloi një skemë të mirëorganizuar, ku emigrantët transportoheshin përmes rrjetit të autostradës M25 motorway dhe më pas transferoheshin nga një automjet në tjetrin në pika të ndryshme, kryesisht në stacione karburanti, përpara se të mbërrinin në Londër. Gjatë 18 muajve aktivitet, banda dyshohet se ka futur të paktën 20 shtetas shqiptarë, megjithëse autoritetet besojnë se numri real mund të jetë më i lartë.
Zbardhja e skemës u bë përmes analizës së kamerave të sigurisë, gjurmimit të automjeteve dhe metodave të avancuara të mbikëqyrjes, duke çuar në identifikimin e drejtuesve të grupit. Hetuesit siguruan edhe komunikime mes kontrabandistëve dhe shoferëve të mjeteve të rënda, ku përcaktoheshin detajet e transportit. Sipas policisë, aktiviteti ishte i motivuar nga fitimi financiar, ndërsa emigrantët shpesh përfundonin të shfrytëzuar nga rrjete të tjera kriminale pas mbërritjes në vend. Versus.al

