
Një operacion i gjerë i Prokurorisë Speciale Shtetërore dhe Departamentit Special të Policisë në Mal të Zi ka çuar në arrestimin e të paktën tre personave të dyshuar si pjesë e klanit kriminal “Shkaljari”, të cilët dyshohet se janë përgjegjës për të paktën gjashtë vrasje gjatë dekadës së fundit.
Sipas mediave vendase, në pranga kanë rënë Malisha Bubanja, Predrag “Peđa” Gjuriçkoviç dhe një tjetër person nga Tivari. Ata konsiderohen si ekzekutorë të këtij grupi kriminal, të përfshirë në krime të rënda të kryera në mënyrë tepër brutale, si në Mal të Zi ashtu edhe jashtë vendit.

Pas kontrolleve në banesa dhe objekte në Bar dhe Tivar, të dyshuarit janë shoqëruar në selinë e Departamentit Special të Policisë, ndërsa gjatë ditës pritet marrja në pyetje e tyre nga Prokuroria Speciale Shtetërore.
Sipas njoftimit zyrtar, autoritetet po kryejnë veprime urgjente hetimore ndaj disa personave, për dyshimet mbi krijimin e një organizate kriminale dhe kryerjen e katër veprave penale të “vrasjes së rëndë”, ku si pasojë kanë humbur jetën gjashtë persona.

Prokuroria bëri me dije se pas përfundimit të veprimeve hetimore dhe marrjes në pyetje të të arrestuarve, do të dalë me një njoftim të plotë mbi rezultatet dhe hapat e mëtejshëm të procedimit penal.
Operacioni i policisë u zhvillua që në orët e para të mëngjesit, ku dhjetëra forca speciale rrethuan një zonë në dalje të qytetit të Barit, në drejtim të Ulqinit, duke bllokuar për disa orë të gjithë lagjen dhe duke ushtruar kontrolle në disa banesa dhe objekte.

