AKTUALITET /

Hita me ambasadorin holandez: Së bashku synojmë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar

Hita vlerësoi bashkëpunimin e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese në Holandë ka dhënë rezultate konkrete në lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarish

Shkruar nga Versus

Hita me ambasadorin holandez: Së bashku synojmë rezultate konkrete

"Shqipëria dhe Holanda vijojnë bashkëpunimin e tyre në luftën ndaj krimit të organizuar", tha sot drejtori i Përgjithsëm i Policisë, Skënder Hita, gjatë një takimi me ambasadorin e Holandës, Reinout Vos.

Hita vlerësoi bashkëpunimin e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit me agjencitë ligjzbatuese në Holandë ka dhënë rezultate konkrete në lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht, krijimin dhe funksionimin e skuadrave të përbashkëta hetimore, shkëmbimin në kohë reale të inteligjencës kriminale, si dhe në gjurmimin dhe sekuestrimin e aseteve kriminale.

Ai theksoi gatishmërinë absolute të tij dhe të Policisë së Shtetit për të qenë plotësisht të hapur dhe të angazhuar për aspekte të ndryshme bashkëpunimi që do të referohen në të ardhmen nga Oficeri i Kontaktit.

Ambasadori holandez i dorëzoi Hitës, letrën e urimit të dërguar nga homologia e tij, drejtoresha e Policisë holandeze.

Drejtoresha e Policisë holandeze, Janny Knol, në letrën drejtuar Hitës, shprehet:

“Shpreh konsideratën time më të lartë për ju dhe Policinë e Shtetit shqiptar, dhe ju uroj shumë suksese në detyrën tuaj. Të dyja, Policia holandeze dhe Policia e Shtetit, bashkëndajnë angazhimin e lartë në luftën kundër krimeve ndërkufitare. Marrëdhëniet ndërmjet vendeve tona po forcohen vazhdimisht dhe jam e bindur se, nën drejtimin tuaj, bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Holandës do të vijojë të prosperojë.”

Ambasadori Vos uroi Drejtorin për marrjen e detyrës dhe vlerësoi vizionin e tij për drejtimin e Policisë së Shtetit, duke e garantuar për mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme të agjencive ligjzbatuese të Holandës, për përmbushjen e objektivave të përbashkët, si dhe për forcimin e mëtejshëm të sigurisë dhe luftës kundër kriminalitetit ndërkufitar, bazuar në besimin reciprok tashmë të fituar. Versus.al

 

Poll