Emiljano Shullazi nuk është paraqitur sot në seancën gjyqësore për dosjen “Revanshi”, zhvillim që vjen vetëm një ditë pas atentatit mafioz në Rinas ku mbeti i vrarë miku dhe bashkëpunëtori i tij më i afërt, Gilmando Dani.
Dani, i ekzekutuar pasditen e së martës, njihej si krahu i djathtë i Shullazit dhe njeriu që ruante lidhjet e grupit kriminal jashtë qelisë.
Burime nga drejtësia bëjnë me dije se mungesa e Shullazit në sallën e gjyqit nuk është shoqëruar me ndonjë njoftim zyrtar, ndërsa mbetet e paqartë nëse ajo lidhet me arsye sigurie pas vrasjes së Danit.
Dosja “Revanshi”, produkt i hetimeve të zgjeruara të SPAK-ut, akuzon Shullazin për përfshirje në plane për vrasje dhe organizatë kriminale.
Sipas dokumenteve të prokurorisë, ai ka komunikuar me Tesilvan Bashon, të cilit i ka kërkuar ekzekutimin e Durim Bamit, duke i vënë në dispozicion të dhëna mbi lëvizjet e tij. Në këtë komunikim përmendet edhe Arben Ndoka, si person që kishte dijeni për informacionet e siguruara nga Shullazi.
Në përgjimet e përfshira në dosje, Shullazi rezulton të ketë biseduar edhe me Marklen Hakën dhe Lir Pajën për të njëjtin qëllim. Në një prej bisedave të datës 6 mars 2020, ai shkruan: “Ca, duket do e kapin ato çunat atë qelbësirën? Lir Pajës i tham ne për Durin atëherë që folëm bashkë, por ai s’ka takat, e ka mendjen ke malli.”
Dy javë më pas, më 24 mars 2020, Shullazi kërkon përsëri informacion për vendndodhjen e Durim dhe Valter Bamit, duke treguar se kishte interes të vazhdueshëm për lëvizjet e tyre.
Ndërkohë, burime pranë institucioneve të sigurisë nuk përjashtojnë mundësinë që mungesa e tij në gjyq të lidhet me tensionet e fundit pas ekzekutimit të Danit, që konsiderohej si një figurë kyçe për komunikimin e Shullazit me botën e jashtme.
