Me fjalë të mbushura me dhembje të thellë e dashuri të pafundme, akademiku dhe shkrimtari i njohur, Rexhep Qosja, ka thyer heshtjen, duke ndarë me publikun dhimbjen për humbjen më të rëndë të jetës së tij, ndarjen nga jeta të vajzës së tij, Editës.
Në një reagim prekës, Qosja shkruan se më 29 korrik, pas një periudhe të gjatë vuajtjeje dhe pafuqie përballë së pashërueshmes, familja e tij humbi të dashurën, të mirën, të urtën, të prajshmen, zemërbardhën, Editën.
“Humbëm të dashurën, të shtrenjtën, të pazëvendësueshmen, pjesën e shpirtit e të zemrës sonë, bijën time Editën, nënën e Valjetit, Donikut, Lironës, gjyshen e Rinesës dhe të Lizës, dhe motrën e Violës sonë,” – shkruan Qosja, duke përshkruar jo vetëm dhimbjen e një babai, por edhe boshllëkun e pamatshëm që ajo la pas në zemrat e gjithë familjes.
Për intelektualin që ka qenë zë i fuqishëm i kombit në dekada të tëra, fjalët e shpresa janë kanë lënë vendin gjëmës.
“Këto ditë, kur pushuan dhembjet e Editës, kur ato dhembje na i la neve, janë ditë jo të lehta, janë ditë të rënda për ne, janë ditë që mos u provofshin nga askush.”
Profesor Qosja falënderon me përulësi të gjithë ata që iu gjendën pranë. Miq, kolegë, dashamirë nga të gjitha trojet shqiptare, institucione kulturore, kombëtare e politike, të gjithë ata që hapën derën e ngushëllimit dhe që, sadopak, e zbutën dhembjen e një babai të gjunjëzuar nga humbja.
“Ngushëllimet tuaja zemërore i kemi ndier shumë afër… përmes ardhjes, telefonit, postës elektronike, komunikimit digjital e mediave. Ju jemi shumë falënderues e mirënjohës.”
Por fjalët më tronditëse janë ato me të cilat ai përpiqet të kuptojë dhe të përballojë boshllëkun e tmerrshëm që lë pas ikja pa kthim e një fëmijë:
“Humbja e vajzës sime të shtrenjtë më ka ndihmuar të kuptoj se sa e thellë është dashuria prindërore e sa e pafundme është dhembja e largimit të parakohshëm të fëmijës për prindërit.”
Me një mirënjohje të qetë, por zemërplasur, Qosja përfundon mesazhin e tij me një thirrje njerëzore, që jehon si lutje:
“Mos paçi pikëllime të këtilla kurrë!”







