
Kryeinspektorja e IKMT, Dallëndyshe Bici ishte vetë e pranishme në momentin e konfiskimit të pallatit që kishte ndërtuar jashtë lejes së ndërtimit në Vlorë. Nëpërmjet një deklarate ajo tha se inspektorët janë shpërndarë në gjithë territorin për të bërë të mundur gjetjen e shkeljeve me lejet e ndërtimit.
Ndërsa paralajmëroi se të gjihë pallatet që kanë abuzuar me lejet e ndërtimit, do të kenë të njëjtin fat dhe do t’i kalojnë shtetit në pronësi për t’u shfrytëzuar për interes publik.
“Në vazhdën e kontrolleve ashtu siç ka ndodhur me objekte të tjera më parë, objekti do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shteti për interes publik. Jam këtu për të bërë me dije që të njëjtin fat do kenë të gjithë ato objekte që rezultojnë me leje ndërtimi, por kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes duke cënuar interesin publik dhe pronën e përbashkët. IKMT do vijojë punën në të gjithë territorin për të inspektuar objektet me apo pa leje ndërtimi me qëllim që të garantojmë respektimin e ligjit, sigurinë e komunitetit dhe interesin publik”- deklaroi Bici.
Videoja e deklaratës së Bicit u shpërnda nga Rama i cili tha se do të ketë edhe ndjekje penale për zyrtarët e ndryshëm vendorë që kanë mbyllur sytë para shkeljeve që konstatojnë.
“Këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike, ndërkohë që punonjësit e bashkive që kryejnë sipas ligjit akt-kontrollet në çdo fazë të ndërtimit dhe mbyllin sytë përpara shkeljeve, do t’i përcillen prokurorisë për një sërë veprash penale të mundshme.
Ndërkohë së shpejti do të miratohet reforma e re e kontrollit mbi territorin, me masa të reja shtrënguese dhe përgjegjësi administrative e penale edhe për “symbyllurit” që paguhen me taksat e shqiptarëve, si inspektorë e shefa bashkie, punonjës e shefa policie dhe me radhë.
Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme më nga askush”- shkruan Rama në postimin e bërë. Versus.al







