AKTUALITET /

Ish-antari i Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi shpallet i pafajshëm nga GJKKO për fshehje pasurie

Gjatë procesit, ish-magjistrati Selimi ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar shpalljen e pafajësisë, ndërsa SPAK kërkonte fajësinë për mospërputhje në deklarimet e pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme për disa prej aseteve në pronësi të tij.

Shkruar nga Versus

Ish-antari i Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi shpallet i

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshëm ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, i cili prej vitesh përballej me akuza për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.

Vendimi u mor këtë të hënë nga gjyqtarja Rudina Palloj, pas shqyrtimit të çështjes me procedurë të zakonshme.

SPAK e kishte çuar për gjykim çështjen me akuzën e parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal, që lidhet me: “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Një proces i ndjekur nga afër
Gjatë procesit, ish-magjistrati Selimi ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar shpalljen e pafajësisë, ndërsa SPAK kërkonte fajësinë për mospërputhje në deklarimet e pasurisë dhe mungesë burimesh të ligjshme për disa prej aseteve në pronësi të tij.

Sipas SPAK, që u përfaqësua në këtë çështje nga prokurorja Doloreza Musabelliu, hetimi nxori të dhëna që tregonin se Selimi kishte pasuri të paluajtshme të pajustifikuara me burime të ligjshme. Për këtë arsye u kërkua dhe u vendos sekuestrimi mbi disa pasuri në zotërim të tij: ½ e një trualli me sipërfaqe 432 m² dhe një objekt 132.25 m², pikë tregtimi karburantesh, me vendndodhje në shëtitoren “Lungomare” në Vlorë; një truall me sipërfaqe 2,400 m² në Jonufër, si dhe një tjetër truall me pikë karburanti në “Rrugën Transballkanike”, po në Vlorë.

Gjykimi i kësaj çështjeje u zhvillua për rreth dy vjet e gjysmë, me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Gjatë seancave u debatua, ndër të tjera, edhe mbi dy akt-ekspertime të pasurisë së ish-gjyqtarit, ku në njërin ai rezultonte me bilanc pozitiv dhe në tjetrin me bilanc negativ. Analiza financiare e kryer më herët nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për Selimin u cilësua nga SPAK si e palidhur me procesin penal.

Pas një procesi të gjatë dhe të diskutuar publikisht, GJKKO vendosi shfajësimin e tij, duke rrëzuar pretendimet e Prokurorisë së Posaçme.

Ish-antari i Gjykatës së Lartë Shkëlzen Selimi shpallet i

Kush është Shkëlzen Selimi?

Ish-anëtar i Gjykatës së Lartë (emëruar më 2011)
Ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Vlorë
I shkarkuar nga vettingu në vitin 2018 për mungesë justifikimi të pasurisë dhe kontakte me persona me precedentë penalë
Ish-pronar i një karburanti në Vlorë dhe posedues i disa pasurive të paluajtshme që u hetuan nga SPAK
U përball me sekuestrime dhe hetim penal, por tani është shpallur i pafajshëm me vendim gjykate. 

Edhe bashkëshortja e tij, ish-gjyqtarja e Apelit Administrativ, Rilinda Selimi, u shkarkua nga Kolegji për shkak të kontakteve të papërshtatshme, megjithëse shumica e trupit gjykues nuk konstatoi probleme për pasurinë e saj.

Çfarë pritet më tej?
Megjithëse është shpallur i pafajshëm nga Shkalla e Parë e GJKKO, ende mbetet për t’u parë nëse SPAK do ta apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit të Posaçëm. Në të kundërt, ky vendim do të marrë formë të prerë.

Poll