Miq, kolegë, bashkëpunëtorë e qytetarë po i japin lamtumirën e fundit gazetarit dhe publicistit, Artur Zheji. Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vijojnë deri në 12:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura. Ndërsa ceremonia private do të mbahet më pas tek ‘Alba 2000’. Artur Zheji do të prehet në Tufinë, pranë të atit, gjuhëtarit të madh Petro Zheji.
Aktori Timo Flloko ishte mes personaliteteve që morën pjesë në homazhet për gazetarin Artur Zheji. Flloko e cilësoi Zhejin si një artist dhe personalitet të jashtëzakonshëm.
"Ishte personalitet i dimensioneve të jashtëzakonshme. Nuk flas në prerjen politike të çështjes, apo si një analist i jashtëzakonshëm në televizione e në media. Arturi ishte një artist i madh në shpirt, me një sensibilitet të padallueshëm, të dukshëm, por të thellë e të brendshëm. Një erudit i përmasave të mëdha. Unë i kam dhënë mësim, leksionet i përgatisja për të më shumë, sepse dijet e tij ishin të tilla sa dinte gjithçka. Ishte djali i Petro Zhejit, por Arturi ishte një bir i tij, kishte edhe një nënë të nderuar, një artiste të madhe. Kam pasur miqësi të afërt. Iku shumë shpejt”, tha Flloko.
Ish-ministri Paskal Milo mori pjesë gjithashtu në homazhe. Duke folur për mediat, ai kujtoi momentet e para të njohjes me Zhejin dhe bashkëpunimin e gjatë me të. Për ish-ministrin, Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në përgjithësi.
“Me Zhejin kam rreth 27 vjet që jam njohur, më ka marrë intervistë e parë në gazetar në romë, ku unë isha ministër i jashtëm dhe ai punonte për radion Radicale. Që aty vendosëm bashkëpunim miqësor që vazhdoi gjatë gjithë periudhës si ministër i jashtëm, por në mënyrë të veçantë pas vitit 2002 kur ai u përfshi në mënyrë aktive në median shqiptare si drejtues i disa programeve të rëndësishme në kanale të ndryshme shqiptare, për të arritur atë që sot opinion publik e nderon, në majat e publicistikës shqiptare. Me një stil të veçantë, fjalor tejet të përpunuar, ndërthurej mes një gazetarie ekspresive por edhe mendimi të thellë filozofik, Zheji është një nga gazetarët më të shquar që është marrë me çështjen kombëtare në përgjithësi, por në mënyrë të veçantë për Kosovën”, tha Milo.
I pranishëm ishte edhe shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj. Ai ka kujtuar figurën e tij me fjalë të ndjera, teksa e cilësoi një ditë të trishtuar për gazetarinë, publicistikën, miqtë e familjarët. Zogaj vlerësoi stilin e veçantë dhe elegancën që Zheji solli në debatin publik që sipas tij e dallonte gazetarin nga të tjerët.
“Ditë e trishtuar për gazetarinë, publicistikën, miqtë e Turit. Kam pasur fatin ta njoh herët dhe të punoj me të në disa media të shkëmbej mendime herë pa shere, për artin, kulturën, letërsinë, historinë. Ishte një intelektual me interesa shumë të gjëra, tani doja të nënvizoja një gjë që ka të bëjë me Turin. Ai themeloi elegancën në analizën politike, kishte një bazament kulturor që jo shumë gazetarë e kanë dhe kjo e ndihmoi të krijonte stilin e vet autentik që bashkon thellësinë dhe elegancën, ai nuk linte asgjë pa thënë, por i thoshte në mënyrë të tillë që mos të ishin vrastare, të ishin ndikuese, por jo vrastare, jo goditëse”, tha Zogaj.
Regjisori Kiço Londo ndau një mesazh të ndjerë, duke kujtuar figurën e mikut të tij. Për regjisorin, Zheji ishte një gjeni për të cilin sot, duhet të qajmë të gjithë.
“Vijmë nga i njëjti ajër, nga e njëjta krahinë, nga një gjak e nga i njëjti kurs në këtë shkollë të mrekullueshme. Sot është një ditë zie e thellë. Është një ditë ku të gjithë duhet të qajmë për dritën që humbëm, për mendimin e thellë që nuk do ta kemi më, për Arturin që jo vetëm trashëgonte një gjen gjeniu, por mbante edhe një damar të fortë gjeniu brenda vetes. Dritë e madhe që humbëm, por shpresa është që dita që Arturi po lë pas të na ndihmojë të bëhemi më të mirë,” u shpreh Londo.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është bashkuar homazheve. Berisha shprehu ngushëllimet e tij të ndjera, teksa shtoi se ndan dhimbjen me familjen, miqtë dhe kolegët e Zhejit, duke uruar që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar.
“Erdha të shpreh ngushëllimet më të ndjera për Artur Zhejin, një personalitet i mirënjohur i gazetarisë me një eksperiencë të gjatë në analizë, publicistikë e botime. Artur Zheji ishte një zë më vete me analizat e tij, dhe edhe nëse nuk ishe dakord me pikëpamjet, mënyra e servirjes civile dhe e shtruar e mbrojtjes që ai bënte, të impononte respekt,” u shpreh Berisha.
Artur Zheji ishte një figurë e rëndësishme për publikun shqiptar një mendje e mprehtë, një penë analitike dhe një zë kritik që për vite me radhë ka ndikuar në jetën publike, politike dhe mediatike të vendit. Ai njihej për komentet e tij të guximshme, analizat e thella dhe përkushtimin e tij ndaj fjalës së lirë dhe të vërtetës.
Përveç punës së tij si gazetar, Zheji ka kontribuar si publicist, pedagog, drejtues mediash, dhe gjithmonë ka qenë një zë i qartë në debatet më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare.
Gazetari u nda nga jeta pasditen e së shtunës, 23 gusht.
Sipas burimeve zyrtare nga Spitali i Sarandës, Zheji u dërguar me urgjencë në repartin e emergjencës, por fatkeqësisht ka mbërritur pa shenja jete. Dyshohet se shkaku i ndarjes së tij nga jeta ka qenë një arrest kardiak. /Versus.al







