
Dy shqiptarë me precedentë penalë për krime të rënda janë arrestuar nga policia italiane gjatë një operacioni të zhvilluar në Xhenova, teksa udhëtonin së bashku me automjet.
Sipas mediave italiane, ndaj të dyve rëndonin urdhra arresti të lëshuar nga autoritetet gjyqësore italiane. Të ndaluarit janë të moshës 27 dhe 42 vjeç.
27-vjeçari kërkohej për disa vepra penale kundër pronës dhe personit, ndërsa kishte shkelur në mënyrë të përsëritur masat e vendosura nga gjykata. Ai dyshohet se në ditët e para të muajit kishte kryer edhe një grabitje ndaj një gruaje dhe më pas ishte zhdukur pa lënë gjurmë.
Hetuesit arritën ta lokalizonin pas analizimit të pamjeve të kamerave të sigurisë në qytet. Gjurmët e tij çuan policinë në lagjen Prà të Xhenovës, ku ai u identifikua brenda një automjeti së bashku me një tjetër shtetas shqiptar.
Gjatë kontrollit, 42-vjeçari paraqiti një kartë identiteti dhe një patentë drejtimi në emër të një shtetasi rumun, çka ngriti dyshime tek efektivët.
Verifikimet dhe identifikimi përmes fotografive zbuluan më pas identitetin e tij të vërtetë. Sipas autoriteteve italiane, edhe ai rezultonte i kërkuar me një urdhër paraburgimi të lëshuar në muajin mars nga Gjykata e Xhenovës.
Për më tepër, 42-vjeçari ishte nën masën e arrestit shtëpiak në provincën e Livornos, por ishte arratisur dhe ishte bërë i pagjurmueshëm.
Pas arrestimit, të dy shqiptarët u transferuan në burgun e Marassit, ku do të qëndrojnë në pritje të masave të mëtejshme gjyqësore dhe vijimit të hetimeve nga autoritetet italiane.

