AKTUALITET /

Kapet në Itali shqiptari i shumëkërkuar, jetonte në arrati prej 3 vitesh, lëvizte me dokumente false spanjolle

35-vjeçari u arrestua në Torino në kuadër të operacionit “Wanted”. Autoritetet shqiptare e kërkonin për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe lidhje me organizata kriminale.

Shkruar nga Versus

Kapet në Itali shqiptari i shumëkërkuar, jetonte në arrati

Një 35-vjeçar shqiptar, i konsideruar nga autoritetet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe që jetonte në arrati prej tre vitesh, është lokalizuar dhe arrestuar në Torino të Italisë.

Sipas autoriteteve italiane, arrestimi u krye në kuadër të projektit “Wanted”, i koordinuar nga Shërbimi Qendror i Operacioneve dhe me mbështetjen e Shërbimit Qendror të Bashkëpunimit Policor.

Autoritetet shqiptare kishin shpallur në kërkim 35-vjeçarin, pasi ndaj tij rëndonte një urdhër paraburgimi për bashkëpunim në krimin e vrasjes, si dhe një urdhër ekzekutimi dënimi i lëshuar nga Gjykata e Tiranës për prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve. Për këtë vepër penale, ai ishte dënuar me 3 vite e 4 muaj burg.

Policia italiane bëri të ditur se ditët e fundit efektivët e Skuadrës Fluturuese ndaluan një person të dyshimtë në komunën e Moncalieri-t, pranë Torinos. Gjatë kontrollit, ai paraqiti një kartë identiteti elektronike spanjolle dhe një patentë drejtimi, dokumente që ngritën menjëherë dyshime tek oficerët.

Për këtë arsye, 35-vjeçari u shoqërua në ambientet e policisë për verifikime të mëtejshme, ku ekspertiza e Policisë Shkencore konfirmoi se si karta e identitetit ashtu edhe patenta ishin plotësisht të falsifikuara.

Hetimet e mëvonshme zbuluan se shqiptari ishte subjekt i një “Njoftimi të Kuq” ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare për vepra të rënda penale, mes tyre pjesëmarrje në organizatë kriminale, sigurim mjetesh për kryerjen e vrasjeve dhe armëmbajtje pa leje.

Në përfundim, 35-vjeçari u arrestua për posedim të dokumenteve të falsifikuara të identifikimit të vlefshme për udhëtim jashtë vendit dhe u vendos në arrest të përkohshëm, në pritje të procedurave të ekstradimit drejt Shqipërisë.

 

 

Poll