AKTUALITET /

Shqiptari “terror” në Itali, përplas policët e tenton arratisjen. I sekuestrohen 500 mijë euro

30-vjeçari u arrestua në Rimini pas një ndjekjeje të rrezikshme me furgon. Në banesë iu gjetën drogë, para cash dhe automjete luksoze, ndërsa gruaja e tij hetohet në gjendje të lirë.

Shkruar nga Versus

Shqiptari “terror” në Itali, përplas policët e tenton

Një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar nga Policia e Shtetit në Itali, pasi akuzohet për mbajtje dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, rezistencë ndaj arrestimit, plagosje të efektivëve dhe arratisje të rrezikshme gjatë një kontrolli policor.

Sipas mediave italiane, shqiptari ishte prej kohësh nën vëzhgim nga hetuesit, të cilët dyshonin se ai përdorte një furgon të bardhë tip “Fiat Doblò” për të shpërndarë sasi të konsiderueshme droge në zonën e Riminit. Për këtë arsye, policia ngriti një postbllok në zonën “Rimini Sud” për ta ndaluar.

Efektivët i bënë shenjë automjetit të ndalonte dhe u identifikuan si pjesëtarë të Policisë së Shtetit, por 30-vjeçari fillimisht uli shpejtësinë dhe më pas përshpejtoi papritur, duke goditur një prej oficerëve dhe duke u përplasur me barrierat mbrojtëse si edhe me automjetin e policisë, përpara se të largohej me shpejtësi.

Tre patrulla u nisën menjëherë ndjekjen e shqiptarit, i cili, sipas autoriteteve italiane, kreu manovra tepër të rrezikshme në trafik, duke rrezikuar përdoruesit e tjerë të rrugës. Ndjekja përfundoi në “Via Flaminia Conca”, ku pasi përplasi disa automjete policie, humbi kontrollin e furgonit dhe u përplas me forcë në një mur anësor.

Edhe pse automjeti u dëmtua rëndë nga përplasja, shqiptari tentoi të arratisej në këmbë, por u neutralizua dhe u vu në pranga pak çaste më vonë nga efektivët.

Gjatë kontrollit në banesën ku jetonte me bashkëshorten e tij, gjithashtu shtetase shqiptare, policia gjeti mbi 1 kilogram kokainë, 35 gram hashash dhe materiale të ndryshme për paketimin e dozave të drogës.

Autoritetet sekuestruan gjithashtu afro 500 mijë euro cash, të fshehura si në automjet ashtu edhe në sirtarët e apartamentit të çiftit shqiptar.

Hetuesit zbuluan se brenda furgonit “Fiat Doblò” ishte ndërtuar një ndarje sekrete me mekanizëm kyçjeje, e përdorur zakonisht për transportimin e narkotikëve apo mallrave të paligjshme.

30-vjeçari u dërgua në burgun lokal, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila rezulton pa precedentë penalë, po hetohet në gjendje të lirë për posedim të lëndëve narkotike.

Përveç furgonit, policia sekuestroi edhe një motoçikletë “Africa Twin” dhe një “Audi A6”, të cilat rezultonin në pronësi të shqiptarit dhe dyshohet se janë blerë me të ardhura nga aktiviteti kriminal.

 

 

Poll