
Në kuadër të një operacioni ndërkombëtar të koduar “Ferdinand”, autoritetet spanjolle, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë shqiptare, goditën një grup kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me armë dhe dhunë ekstreme në banesa në Spanjë.
Si rezultat i veprimeve, pesë persona janë ndaluar, nga të cilët katër janë shqiptarë, dhe janë sekuestruar 10 590 euro, katër orë dore të markave të shtrenjta dhe një automjet.
Policia shqiptare kontribuoi përmes Njësisë për Krimet Shëtitëse “Antiskifter”, e cila për rreth dy vite bashkëpunoi me homologët spanjollë përmes Oficerit Ndërlidhës në Ambasadën e Shqipërisë në Madrid.
Në vijim të këtij bashkëpunimi, në janar 2026 Policia e Lezhës realizoi operacionin e koduar “Aksi”, duke arrestuar një tjetër pjesëtar të grupit. Gjatë periudhës hetimore janë kryer kontrolle në ambiente në Shqipëri që përdoroheshin nga të dyshuarit.
Bashkëpunimi ndërkombëtar vazhdon për kapjen e dy pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Njoftimi i policisë:
Policia shqiptare kontribuon për zhvillimin e operacionit të koduar “Ferdinand”, të organizuar nga Policia spanjolle.
Objektivi i operacionit, goditja e një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, të akuzuar për vjedhje me armë zjarri dhe/ose dhunë ekstreme, të parave dhe sendeve me vlerë, në banesa në Spanjë.
Në kuadër të operacionit janë ndaluar 5 pjesëtarë të grupit (4, shtetas shqiptarë), si dhe janë sekuestruar 10 590 euro, 4 ora dore të markave të shtrenjta dhe 1 automjet.
Për zhvillimin e këtij operacioni, Njësia për Krimet Shëtitëse “Antiskifter” në Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar bashkëpunoi ngushtë, për rreth 2 vjet, me homologët spanjollë, nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Madrid.
Në vijim të këtij bashkëpunimi, në muajin janar 2026, Policia e Lezhës finalizoi operacionin e koduar “Aksi”, si rezultat i të cilit u kap njëri nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal, shtetasi A. I.
Gjithashtu, gjatë periudhës hetimore u ekzekutuan letërporosi për kryerjen e kontrolleve në disa ambiente në Shqipëri, në pronësi/përdorim të pjesëtarëve të grupit.
Vijon bashkëpunimi me homologët spanjollë, për kapjen e 2 pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi, të shpallur në kërkim ndërkombëtar./Versus.al

