Hetimet për ekzekutimin me tre plumba të biznesmenit të naftës, Mondi Mëhalla, më 30 nëntor 2025 në Elbasan, kanë zbardhur identitetin e personit që dyshohet se ka organizuar dhe financuar vrasjen. I kërkuari është Oklid El Ouejdi, 35 vjeç, banor i Elbasanit, i njohur me nofkat “Kiço” dhe “Oliver”.
Gazetari Elton Qyno raporton se El Ouejdi nuk është një shtetas i huaj, siç dyshohej fillimisht, por një elbasanas me emër të ngjashëm me arabët dhe i njohur në qytet si nipi i personazhit të njohur “Timi” i Elbasanit.
Qysh prej muajit Janar 2018, Oklid El Ouejdi, ka regjistruar si biznes në Elbasan një pikë Import-Eksport dhe tregtim të automjeteve dhe dhënies me qira. Sipas verifikimeve ky biznes quhet auto “SOLEIL”.
Arratia dhe lëvizjet jashtë vendit
Sipas Policisë së Elbasanit, 35-vjeçari është larguar përmes pikës kufitare të Qafë-Thanës. Ai dyshohet se është strehuar në Maqedoninë e Veriut, ku ka lidhje të forta shoqërore, ndër to edhe me Sheval Muharremin, të njohur si “Bosi i Gërçecit”.
Konflikti 700 mijë euro përpara vrasjes
Burime hetimore tregojnë se 10 ditë para vrasjes, Oklid El Ouejdi ishte përfshirë në një konflikt të ashpër me viktimën Mondi Mëhalla në ambientet e karburantit “Xhaxhi Oil”.
Konflikti nisi për një marrëveshje tregtare 700 mijë euro.
El Ouejdi nuk kishte mundur ta përmbushte marrëveshjen dhe kishte ofruar në këmbim 4 apartamente në Tiranë, por me probleme pronësie.
Situata degradoi deri në dhunë fizike, ku sipas burimeve, Mëhalla ka rrahur El Ouejdin.
Vetëm pak ditë më vonë, 35-vjeçari dyshohet se ka organizuar dhe financuar vrasjen e biznesmenit.

